E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëndrimi i qeverisë shqiptare, kontribut i madh paqeje në rajon

Zv/kryeministri Ilir Meta siguron Brukselin se Shqipëria do të përmbushë detyrimet për liberalizimin e vizave me BE-në, brenda gjysmës së parë të 2010-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Anders Fogh Rasmussen, ka vlerësuar dje rolin dhe kontributin e qeverisë shqiptare, për paqen në rajon. Këtë vlerësim Rasmussen ia ka shprehur Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit i Jashtëm i Shqipërisë Ilir Meta në selinë qendrore të Aleancës. Meta i cili po zhvilloi një vizitë në Bruksel, pritet të ketë edhe një seri takimesh për të informuar lidhur me hapat e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe liberalizimin e vizave.
Gjatë takimit mes Anders Fogh Rasmussen  dhe Ilir Metës, ata biseduan për çështje që lidhen me angazhimin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO, si dhe u diskutua rreth politikave të Aleancës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Vëmendje e veçantë iu kushtua çështjes së Kosovës. Meta e siguroi Sekretarin e Përgjithshëm Rasmussen për angazhimin e Shqipërinë në kuadër të Operacionit të ISAF, duke vazhduar kontributin e Shqipërisë në Afganistan, veçanërisht në drejtim të rritjes së sigurisë, bashkëveprimit dhe kontributit civil për rindërtim. Ministri Meta rikonfirmoi gjithashtu edhe gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar për paqen dhe sigurinë si vend anëtar i NATO dhe nënvizoi rolin konstruktiv të politikës së saj në rajon. Në këtë kuadër, Meta shprehu mbështetjen e Qeverisë shqiptare për zgjerimin e mëtejshëm të NATO.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm Rasmussen, shprehu vlerësimin e tij për kontributin konstruktiv të Shqipërisë në të gjitha nivelet e strukturave të Aleancës, veçanërisht në drejtim të garantimit të sigurisë në Afganistan.
Rasmussen vlerësoi gjithashtu edhe politikën rajonale të Shqipërisë duke theksuar se qëndrimi i Qeverisë shqiptare për çështjen e Kosovës ka qenë një kontribut i madh për garantimin e paqes dhe stabilitet

Eurodeputetët rikonfirmojnë dëshirën për integrimin e Ballkanit Perëndimor
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ilir Meta u takua dje edhe me raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, eurodeputetin grek Nikolaos Chountis. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Meta, pasi e informoi eurodeputetin Chountis mbi përgatitjet e Qeverisë shqiptare për t’iu përgjigjur pyetësorit dhe angazhimin e saj për zbatimin e reformave të ndërmarra, e siguroi atë se Shqipëria do të përmbushë të gjitha detyrimet për liberalizimin e vizave me BE dhe do të forcojë bashkëpunimin me Parlamentin Evropian.
Gjithashtu, Meta i shprehu Chountis vullnetin e Qeverisë dhe qëndrimin e saj tepër konstruktiv për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave legjitime dhe të arsyeshme që vijnë nga opozita, duke theksuar se bashkëpunimi me opozitën duhet realizuar pa ndërhyrë në vendimet e gjykatave dhe pa cenuar pavarësinë e gjyqësorit, një nga shtyllat e shtetit të së drejtës, ndërtimin e të cilit e kërkon edhe Bashkimi Evropian.
Eurodeputeti grek theksoi nevojën e një zgjidhjeje të shpejtë të situatës politike, nisur nga nevojat e vendit për integrim evropian.
“Puna jonë fokusohet në mënyrën sesi Shqipëria po përmbush detyrimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Çështjet politike janë të brendshme dhe i takojnë partive politike. Ne urojmë që problemet e brendshme të zgjidhen në mënyrën më të mirë dhe sa më shpejt të jetë e mundur që të mund të arrihen qëllimet e qytetarëve për integrim. Puna dhe dëshira jonë fokusohet në drejtim të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh eurodeputeti Nikolaos Chountis.
Eurodeputeti grek tha se ministri Meta i paraqiti një situatë objektive të gjitha zhvillimeve në Shqipëri, një bazë e mirë kjo, sikundër tha Chountis për një bashkëpunim konstruktiv në të ardhmen. Përfaqësuesi i Parlamentit Evropian paralajmëroi një vizitë në Shqipëri në fillim të vitit që vjen.

Ballkani Perëndimor dëshmon fuqinë transformuese që ka perspektiva në BE
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta mori pjesë dje edhe në Konferencën e Nivelit të Lartë mbi Perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Fondacioni “Friedrich Ebert”, në Bruksel.
Në fjalën e tij, Zëvendëskryeministri Meta paraqiti një panoramë të zhvillimeve në kuadër të integrimit evropian dhe liberalizimit të vizave duke vënë theksin në përpjekjet e qeverisë për të përmbushur në kohë dhe me cilësi të gjitha detyrimet që rrjedhin nga këto procese.
Në fjalën e tij, Meta theksoi se për vendet e Ballkanit Perëndimor, dy dekadat e fundit dëshmojnë fuqinë transformuese që ka pasur perspektiva e anëtarësimit në BE për vendet e këtij rajoni.
Pasi vuri në dukje se Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit kanë avancuar dukshëm në procesin e afrimit me BE-në, Meta theksoi vendosmërinë e Qeverisë shqiptare për thellimin e mëtejshëm të reformave dhe forcimin e bashkëpunimit në kuadër të proceseve integruese rajonale.
“Integrimi në BE është një proces reciprokisht sfidues. Sfida jonë është të tejkalojmë vetveten në të gjitha kuptimet, si me reformat e brendshme ashtu edhe në marrëdhëniet rajonale”, u shpreh Meta.
Duke folur për perspektivën e marrëdhënieve të rajonit tonë me BE-në Meta tha se, “gjendemi përpara një momenti fatlum, pasi Traktati i ri evropian dhe fryma e re e bashkëpunimit që do të nxisë ai do të jenë në dobi të proceseve tona integruese. Vazhdueshmëria e integrimit evropian do të sjellë vetëm përfitime të ndërsjella: për ne progres, stabilitet dhe prosperitet, për BE-në më shumë siguri dhe plotësi”. 
Në këtë konferencë ishin të pranishëm edhe shumë personalitete nga rajoni dhe Komisioni Evropian si Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Zëvendëskryeministri i Serbisë,  Zëvendëskryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Drejtori për Ballkanin pranë Komisionit Evropian, etj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›