E Shtunë, 31 Tetor 2026

ÇMIM TE RENDE APO KOSTO TE LARTE?!

Kurrë ndonjëherë më parë, politika e brendshme shqiptare s‘ka pasur kaq reliev të thyer qëndrimesh dhe sjelljesh politike. Është tjetërsuar pothuajse ndarja klasike pozitë-opozitë, duke u krijuar imazhi real dhe arsyet e plota për një thyerje të thellë brenda opozitës së majtë. Aq sa në perceptim të parë për qëndrimet e sotme, mund të thuhet se distanca dhe moskuptueshmëria mes Edi Ramës dhe Ilir Metës s‘ka të krahasuar me distancën dhe kuptueshmërinë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Nëse kjo ka lidhje me sintoninë Berisha-Rama për një proces tabuthyes të reformave, atëherë le të ndihemi si në konstatimin e Fareed Zakarias në librin "E ardhmja e Lirisë", i cili konkludon: "Politikat largpamëse paguajnë një çmim të rëndë; por politikat favorizuese afatshkurtra kanë kosto të jashtëzakonshme".

Në rastin e mirëkuptimit Berisha-Rama kemi të bëjmë me një "çmim të rëndë apo me një kosto të jashtëzakonshme"?! Natyrisht shpjegimet që ata japin publikisht priren të jenë qetësuese, madje shpresuese dhe synojnë të imponojnë largpamësinë e asaj që po kryejnë. Për këtë qëllim, në shfaqjen e tyre i shërbejnë performancës së misionarit që e dinë se ku shkojnë dhe se si do të jetë ndryshimi. Mirëpo nuk përthyhet si e tillë në nivelet e tjera të politikës dhe në shtresat e anëtarëve dhe simpatizantëve partiakë të tyre, kjo që po bëjnë të dy aktorët kryesorë. Shumica e qytetarëve të vendit po shumështojnë ankimet se mirëqenia dhe të ardhurat e tyre po bien dhe po përkeqësohet jetesa. Institucionet qeverisëse gjenerojnë shumë politikë dhe vështirë të rendisin produktin e ri të mandatit katërvjeçar të qeverisjes së djathtë.

Në tregun e vendit mungon shfaqja e investitorëve të fuqishëm që përmbysin treguesit financiarë të brendshëm, sikundër në shumë fusha konstatohet bllokimi dhe lëvizja me ngadalësi. Treguesit e ekonomisë individuale gjatë këtyre dy vjetëve janë në rënie dhe sfidat që ofron tregu global parathonë një situatë edhe më problemore. Në këto kushte, konsensusi Berisha-Rama është shfaqur vetëm si një protagonizëm dhe aktrim politik individual dhe jo si një platformë strategjike që mbart njëherazi bashkëveprimin sqarues. Politika e mirëkuptueshmërisë së tyre ende nuk po mundet të dekodifikohet prej udhëheqësisë politike, prej qytetarëve dhe faktorëve të tjerë të shoqërisë civile. Oponenca dhe vështrimi kritik i artikulantëve kryesorë të mendimit publik, si dhe i interpretuesve të realpolitikës së vendit, e bëjnë edhe më të shtuar skepticizmin, por edhe më të mjegulluar destinacionin apo rezultatin e afërt të kësaj marrëdhënieje politike të ndryshuar. Marrëveshja e tyre nuk lexohet si konsensus afatgjatë, por si një konjukturë protagonistësh në kontekste paraelektorale. Kryesocialisti Rama është i rrethuar me heshtje brenda partisë së tij. Liria e shprehjes në tavolina e deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë së PS-së është e frikshme. Jo për shkak të vërtetave që pëshpërisin, por për diferencën që krijohet mes të menduarit dhe bindjes së nënshtruar politike të tyre. Madje të jepet një përshtypje se kjo situatë e ka zvogëluar thelbësisht mobilizimin opozitar të socialistëve. Kjo ka ndodhur dhe po ndodh në atë masë, sa të shfaqet propaganda partiake e prishjes së rendit klasifikues mes PS-së dhe LSI-së së aleancuar nga krerët e partive të vogla.

Kjo është një gjendje amullie politike brenda spektrit opozitar, e cila natyrshëm që nuk duhet të vazhdojë për kohë tjetër. Edi Rama po udhëton në një itinerar të vetëpërcaktuar dhe për të cilin nuk jep sqarime për bashkërepartësit e tij politikë. Marrëveshjet e befasshfaqura prej tij në relacion me Kryeministrin Berisha janë seriozisht të pangjara në të gjithë harkun kohor të tranzicionit. Ato nuk janë thjesht marrëveshje që mbesin fjalë dhe në vlerën deklarative, por shndërrohen në akte ndryshuese në Kushtetutë dhe gjejnë shprehje konkrete në aktet e votimeve parlamentare. Një ditë më parë, kryesocialisti Rama tha se: "Socialistët janë të hapur për të diskutuar - por shtoi ai - duhet pasur parasysh fakti se çështja e imunitetit nuk mund të jetë e shkëputur nga paketa kombëtare që PS ka propozuar muaj më parë për sistemin e drejtësisë". E lexuar ndryshe kjo do të thotë se seriali marrëveshës mes kryeopozitarit zyrtar dhe kryeqeverisësit kryeministër vazhdon të jetë jo vetëm në fuqi, por në akte vijueshmërie. Në këtë ecje, më të pasqaruar janë vetë politikanët, domethënë ata që janë në nivelet më të larta hierarkike të dy kampeve politike. Në këtë mënyrë reforma më e thellë politike, e cilësuar si e tillë prej vetë protagonistëve, nuk e përfshin aktin marrëveshës dhe diskutues në institucionet forumale të politikës partiake të vendit.

Në një farë mënyre, lehtësisht mund të pohohet se demokracia reale partiake është kapërcyer dhe duket si e panevojshme. Me habi, skepticizëm dhe hamendësime publike po shihen deklarimet mirëkuptuese Rama-Berisha. Shumëkush do të dijë se ku të nxjerr kjo marrëveshje dhe deri ku shkon ajo? Sa i shërben njërit dhe sa tjetrit? Ku ndëshkohet njëri dhe ku e sheh leverdinë tjetri? Sa garantohet institucionalizmi dhe ç‘do të ndodhë me demokracinë institucionale? Zakaria konstaton se: "Megjithatë me brohoritje për demokracinë s‘zgjidhen dot problemet e saj. Duhet të ekzistojë një rrugë se si sistemet demokratike të bëhen të funksionueshme, në mënyrë që të mos përpilojnë vazhdimisht politika afatshkurtra me rezultate të trishtë. Risqet për vendet shumë të varfër janë ende shumë të lartë". Jashtë këtij konkluzioni nuk mund të lihet realiteti i sotëm politiko-ekonomik i vendit. Një konkluzion të tillë e shpallën në Tiranë përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke paralajmëruar vendin dhe qeverinë tonë për rreziqe të larta në ekonomi. Nëse konsensusi i bipolarëve antagonistë i referohet kësaj panorame rreziku, atëherë duhet të jemi optimistë se Shqipëria zyrtare paska hyrë në themelinë e një stabiliteti politik. Mund të iluzohet pozitivisht se ka mbërritur "çasti i mbramë" për një unitaritet politik dhe administrativ të vendit. Kjo mund të na shtyjë në mendimin se pjekuria e udhëheqësve tanë dhe për këtë shkak edhe demokracia jonë, ka arritur nivel të qëndrueshëm rritjeje.

Mirëpo e shkuara e afërt dhe e kaluara pësuese e Kryeministrit Berisha na shtyn të jemi të kujdesshëm dhe të matur. Ky konsensus që i jep dhe sipas gjasave ka për të shtuar, rivali i tij Rama, na shfaqet si potencial nominal dhe jo institucional. Në një pamje, kjo reformë e tyre lexohet si një presion intensiv që kjo politikë ushtron mbi politikat publike. Praktika e deritanishme institucionale dhe imponimi politik kanë shtuar rezultatin negativ në mosfunksionimin e sistemit tonë të brendshëm. Për të kapërcyer këtë situatë, dy aktorëve të kësaj reforme u duhet të kapërcejnë në kohë skepticizmin dhe t‘i japin transparencë qëllimit të tyre. Nëse kjo kohë vonon, atëherë shumëkush, jo vetëm brenda, por dhe jashtë politikës, do të mbetet në dilemën e sotme se marrëveshja Berisha-Rama apo Rama-Berisha ka një "çmim të rëndë apo kosto të jashtëzakonshme"?


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›