E Diel, 1 Nëntor 2026

Weller :Qëndrimi i GJND-së mund të nxisë 30 njohje të reja

Qëndrimi i GJND-së mund të nxisë rreth 30 shtete që shumë shpejt ta njohin pavarësinë e Kosovës. Kështu është shprehur eksperti i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin Cambridge, Marc Weller për vendimin e GJND-së në 22 korrik për pavarësinë e Kosovës.
"Gjykata Ndërkombëtare në parim nuk ka prirje të japë mendim që nuk është në harmoni me realitetin e jetës politike ndërkombëtare. Rrjedhimisht, konsideroj se ka pak gjasa që në formë të prerë të vlerësojë jolegjitime shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Njëkohësisht, nuk besoj se do të lëshohet në analizë të gjerë për të drejtën për vetëvendosje dhe çështje të ngjashme. Pikërisht për këtë duhet pritur mendim të balancuar të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por, pasi që kemi të bëjmë me qëndrim jo obligues të këtij institucioni çfarëdo të jetë nuk duhet pritur ndryshime dramatike në terren", ka thënë Weller.
Ai ka thënë se nëse GJND e cilëson jo legjitime shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Serbia mundet që sërish t'i drejtohet Kuvendit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe të kërkojë mendim të ri për pasojat e këtij akti, por sipas tij, kjo mundësi është pak e mundur. Por, sipas Weller, nëse GJND-ja nuk dënon në formë të qartë shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kjo me të drejtë ose jo, do të konsiderohet indikacion i aspiratës së Kosovës për pavarësi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›