West Ham fundos Chelsean

Chelsea mbetet pa fitore edhe pas duelit të tretë në Premierligë pas emërimit të Rafael Benitezit në postin e menaxherit.
Por, për dallim nga dy takimet e kaluara që përfunduan në barazime, gjiganti londinez kësaj radhe pësoi më keq pasi u mposht në udhëtim te West Ham me rezultat 3-1, në kuadër të xhiros së 15-të në Premierligë. Në fakt, skuadra vendase kompletoi përmbysjen e gjigantit londinez që pjesën e parë e mbylli në epërsi 1-0 pas golit nga Juan Mata në minutën e 13-të.
Por, sulmuesi Carlton Cole barazoi rezultatin duke shënuar në minutën e 63-të e më pas asistoi për Mohamed Diamen i cili realizoi golin e epërsisë për West Hamin në minutën e 86-të. Kurse, fitoren e nikoqirit e siguroi Modibo Maiga në minutat shtesë. Kjo është humbja e tretë e Chelseat në Premierligë.