Wenger me Messin

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, beson se sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi e meriton të fitojë Topin e Artë pas “kontributit të jashtëzakonshëm” dhe numrit të madh të golave të shënuara.
Messi, bashkëlojtari i tij nga Barcelona, Andres Iniesta dhe ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo janë në garë për çmimin e futbollistit më të mirë në botë për vitin 2012. Por, Wenger mendon se Messi e meriton fitoren për herë të katërt me radhë.
“Është shumë vështirë. Por, për shkak të klasit të tij, Messi e meriton të fitojë”, deklaroi Wenger për ueb faqen zyrtare të Arsenalit. “Ai ka shënuar një numër të jashtëzakonshëm golash këtë vit dhe kontributi i tij më duket tepër i madh. Andaj, e meriton të shpërblehet për atë që ka bërë”, u shpreh strategu francez.
Topi i Artë votohet nga kapitenët e kombëtareve, trajnerët dhe gazetarët nga mbarë bota.