E Diel, 1 Nëntor 2026

Westerwelle në Kosovë: Kufinjtë janë zgjidhur

PRISHTINE- Harta e Europës Juglindore është vizatuar. Çështjet e statusit dhe të territoreve në rajonin e Ballkanit janë zgjidhur përfundimisht, tha në Prishtinë, ministri i jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle. Ai shprehu domosdoshmërinë që zgjidhjet për mosmarreveshjet ekzistuese ndërmjet Prishtinës e Beogradit përfshirë problemet që ndërlidhen me veriun, të gjenden në dialogun në mes palëve, ndërsa ritheksoi mbështetjen e Berlinit zyrtar për integritetin territorial të Kosovës.
“Një gjë është e qartë se integriteti territorial i Kosovës për Gjermaninë nuk është temë që diksutohet, sepse ne jemi të bindur se harta e këtij rajoni është e përfunduar dhe nuk mund të ketë kthim prapa në rrethanat e para, ku vihen në pyetje kufijtë. Harta e Evropës Juglindore është e përfunduar dhe çështjet territoriale dhe të statusit në Ballkan, nga këndvështrimi gjerman janë sqaruar përfundimisht. Këtë duhet ta pranojnë të gjitha palët dhe prandaj për ne është shumë e rëndësishme gjetja e një zgjidhje të përbashkët,” deklaroi kryediplomati gjerman.

“Kjo nënkupton që kjo mbetet jashtë diskutimit për ne. Ne mendojmë se dialogu është i nevojshëm. Ne mendojmë se bashkëpunimi, në vend të konfrontimit, duhet të jetë thelbesor për çdo proces në rajon, por kjo nënkupton që çdokush i respekton kufijtë”, u shpreh shefi i diplomacisë gjermane pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai shtoi se është e rëndësishme që të gjitha grindjet të zgjidhen në rrugë politike dhe diplomatike të cilat premtojnë të ardhme.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e falenderoi Gjermaninë për kontributin e vazhdueshëm të saj dhënë shtetit të Kosovës në të gjitha fushat. Ndërsa, lidhur me zhvillimet e fundit në veri, Thaçi tha:

"Qeveria e Republikës se Kosovës ka marrë vendime, të cilat kanë munguar më herët për të krijuar një jetë të re, më normale dhe me stabile edhe për të 40 mijë qytetarët serb në veri, që vazhdonin të jenë peng të strukturave kriminale. Ne, si qeveri e Kosovës do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me KFOR-in, duke respektuar në tërsi marrëveshjen e arritur në mes të qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it, edhe në procesin implementues, pra për heqjen e barrikadave, lëvizjen e lirë, krijimin e ambientit të sigurt dhe ndaljen e plotë të kontrabandës. Gjithashtu, edhe bashkëpunimi me EULEX-in do të dëshmohet nga angazhimet e mëtutjeshme konkrete”.

Megjithatë, ai nuk deshi të japë detaje për parakushtet eventuale të cilat do t’i viheshin Serbisë për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle është pritur më parë edhe nga presidentja e Kosovës Atifete Jahajaga. Westerwelle e siguroi atë se Gjermania mbështet integritetin territorial, sovranitetin e Kosovës dhe proceset e saj integruese. Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e veçantë të bashkëpunimit me Gjermaninë, e cila mund të ndihmojë në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit të Kosovës. Ndërkohë Westerwelle u takua edhe me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

(d.b/m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›