Telco synonte MVNO’në

Telco AG, që tash po bënë vlerësimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës ka konkurruar në vitin 2008 për Operator Virtual. Kjo kompani ka qenë vetë konkurruese në tenderët e PTK`së.
Në fakt, Telco AG, kishte humbur garën për MVNO me Dardafonin e atëhershëm, tash Z Mobile.
Tri vjet më vonë, Telco kthehet si këshilltar i transaksionit.
Këtë e ka vërtetuar Express përmes një dokumenti ku ky Këshilltar shihet i radhitur në tender si operatori i tretë ekonomik.
“Në garën për tenderin e operatorit virtual të telefonisë mobile ishin Dardafone, Telco dhe Tink, të cilat kishin dorëzuar edhe ofertat e tyre për tender”, thuhet në dokumentin që ka siguruar gazeta.
Madje oferta e Telco`s, sipas këtij dokumenti, ishte më e favorshme, se ajo e Dardafonit.
Kjo ndoshta edhe ka bërë që tash, pas tri vitesh të kthehet me një goditje të madhe për PTK-në, duke shkruar se kjo ndërmarrje ka aplikim të prokurimit me metoda të vjetruara, aspekt të keq teknologjik, të pa përgatitur në çështjet e marketingut...
Në krahasim me Dardafonin, e cila në ofertën e saj kishte ofruar produkte dhe shërbime, të cilat Vala, nuk do të ishte në gjendje t’i përballonte me pajisjet e saj teknologjike, Telco kishte një ofertë shumë më të favorshme.
Kjo kompani kishte një pasqyrë më realiste dhe e kuptonte shumë më mirë tregun e telefonisë mobile në Kosovë.
“Dardafone synonte që punën e saj ta fillonte në pikat elektronike të shitjes, përkundër asaj që Telco planifikonte që së pari të niste me shërbimet bazike të komunikimit dhe të zhvillonte tregun bashkë me Vala-n”, thuhet në dokument.
Kompania austriake, në ofertën e saj kishte në plan edhe hapjen e një qendre të thirrjeve në Kosovë, me të cilën do të krijonte vende të reja pune për rreth 30 njerëz në fillim,duke vazhduar me rritjen e tyre deri në 50 veta në dy vitet e para.
Planet e saj për investime arrinin vlerën e 15 milionë euro, që në fillim.
Për të gjithë resorët - postën, telekomin, IPTV-në dhe Vala-n këshilltari austriak i ka cilësuar si të dobëta dhe jofunksionale.
PTK, më herët e ka quajtur këtë raport si jashtëzakonisht të pavërtetë dhe e ka cilësuar si shumë të dëmshëm për këtë kompani.
Telco AG ka goditur edhe kontratën e postës më ish konkurrentin e tij Operatorin Virtual Dardafon – Z Mobile.
“Kontrata me dardafon-in ka rreziqe komerciale që mund të dëmtojnë fuqinë konkurruese të Vala-s”, ka thënë Telco AG.
Telco AG, është kompani austriake dhe tash sa kohë është në luftë me drejtuesit e Postës dhe Telekomit të Kosovës.
Operatorët virtual në Kosovë
Në Kosovë tanimë janë licencuar dy operatorë virtualë nga Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit, “Dukagjini Telecomunication”, dhe “Dardaphone”, të cilët janë pajisur me licenca 15-vjeçare nga ART-ja.
MVNO në bazë të licencës është operator që nuk posedon spektër frekuencor, por që shfrytëzon tërë infrastrukturën e kompanive mobile ekzistuese.