Fitou: Ende është koha për KFOR-in në Veri

Gjendja në veri të Kosovës është shumë e ndjeshme, prandaj KFOR-i duhet të qëndrojë atje deri në zgjidhjen e situatës,tha ambasadori i Francës në Kosovë, Fransua Fitou, në një debat të organizuar nga Lëvizja Fol.
Gjendja në Kosovë ka ndryshuar pas vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Ambasadori i Francës, Fransua Fitou, thotë se bashkësia ndërkombëtare ka qenë e befasuar me këtë vendim, por tani sipas tij nuk duhet fokusuar në atë se çfarë, si dhe pse ndodhi, por për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.
“Gjëja më e mirë për të bërë sipas pikëpamjes sime është, së pari të ftojmë të gjithë që të mos bëjnë asgjë që do të mund të përkeqësonte situatën. Është ndërmarrë një hap, qeveria e Kosovës është qeveri e një vendi sovran dhe ka vendosur çfarë ka vendosur”, tha Fitou, siç transmeton RTK.
Sipas ambasadorit francez ndarja e veriut të Kosovës as që diskutohet.
Por, ai theksoi se zgjidhja e problemit në veri mund të bëhet përmes zbatimit të Pakos së Ahtisaarit, e cila sipas tij i jep mundësi të mëdha decentralizimit dhe përmes së cilës mund të gjendet një zgjidhje për veriun e Kosovës.
Kurse sa i përket pranisë dhe rolit të institucioneve ndërkombëtare në veri, Fitou theksoi që aktualisht është mirë që KFOR-i të krijojë një lloj sigurie për qytetarët që janë atje, kurse EULEX-i të përgatitet pak më shumë për përfshirje të sundimit të ligjit në veri.
“Ende është koha për KFOR-in. Të gjitha vendet e Evropës dhe Amerika përkrahin faktin se KFOR-i kontrollon situatën në veri. Kjo është e domosdoshme. Komandanti i KFOR-it ka bërë një punë të mirë për të mbikëqyrur situatën, por mendoj se ende është koha për KFOR-in deri në zgjidhjen e situatës ”, tha Fitou.
Por, zhvillimet në veri, sipas ambasadorit francez nuk pritet të ndikojnë në shtyrjen e fundit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Sipas ambasadorit Fitu e rëndësishme për Kosovën dhe vendet tjera të rajonit është që të lëvizin nga mbikëqyrja drejt një vizioni të përbashkët.