E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Ministri i Jashtëm gjerman në Veri, vizitë në Porten 1

PRISHTINË- Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, gjate qendrimit në Kosovë vizitoi sot edhe Portën 1 në veri. Ai falënderoi EULEX-in dhe KFOR-in për punën vigjilente të tyre për parandalimin e përkeqësimit të mëtejshem të situatës. 

Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle në njërën nga dy pikat kufitare të djegur ditë më parë nga protestuesit serb, ka arritur me helikopter i cili ka zbritur në bazën e KFOR-it ‘Nothing Hill'. Për shkak të masave paraprake të sigurisë nga ana e KFOR-it, përveç gazetarëve që po shoqëronin ministrin gjerman, të tjerëve nuk iu është lejuar futja deri në pikën kufitare dhe vizitën e kanë përcjelle nga distanca.

EULEX njoftoi sot pasdite se Shefi i këtij misioni, Xavier de Marnhac, bashkë me komandantin e KFOR-it, Erhard Buehler, e ka njohur ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle, me situaten e tanishme në portën 1 si dhe për aktivitetet e KFOR-it dhe EULEX-it në përpjekje për të ulur tensionet dhe për forcimin e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës.

De Marnhac e falënderoi ministrin Westerwelle për përkrahjen që i jep Gjermania EULEX-it. Pas kësaj vizite, shefi i EULEX-it Xavier de Marnhac tha se “unë jam mirënjohës për përkrahjen e Ministrit Westerwelle dhe të Gjermanisë për EULEX-in”. “Ne jemi duke punuar bashkë me KFOR-in për te ulur tensionet dhe për gjetjen e zgjidhjes. Ne i kemi shtuar patrullat tona policore për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët”, tha de Marnhac.
“Ne kemi filluar hetimet për djegien e portës, për vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe për veprat tjera penale të dy javëve të kaluara. Ky është prioriteti për EULEX-in”, shtoi ai. “Dhuna është e papranueshme dhe ne po punojmë që autoret t’i sjellim para drejtësisë”, përfundoi shefi i EULEX-it, de Marnhac

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›