Hetimet për Veriun, n’gjashtë pista
Prokurorët e EULEX-it kanë hapur disa raste në lidhje me të gjitha ato që kanë ndodhur në veri të vendit prej 25 korrikut e këtej. Edhe pse zyrtarisht ky mision nuk ka dhënë asnjë informatë në lidhje me hetimet, burime brenda këtij misioni bëjnë të ditur se prokurorët e EULEX-it deri më tani kanë hapur gjashtë raste për incidentet në Veri.
Në mesin e këtyre rasteve është edhe vrasja e policit të njësisë speciale të Kosovës, Enver Zymeri.
“Ajo që deri më tani është bërë nga hetimet është hapur rasti për vrasjen e policit, një tentim vrasje si dhe disa raste të tjera siç është djegia e pikës kufitare”, tha për Express një zyrtar i EULEX-it. EULEX-i, sipas këtij zyrtari, është duke mos bërë publike ecurinë e hetimeve për arsye se “mund të dëmtohen hetimet”.
Zyrtarisht në EULEX nuk japin asgjë në lidhje me atë se deri ku kanë shkuar hetimet për ngjarjet në Veri.
Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi tha për Express se policia dhe prokurorët e EULEX-it janë në fazën e mbledhjes së dëshmive në lidhje me krejt atë çka ka ndodhur në pjesën veriore të Kosovës.
“Tash për tash janë duke u mbledhur dëshmitë për të gjitha rastet që kanë ndodhur me dhe pas datës 25 korrik të këtij viti”, tha zëdhënësi Krasniqi për Express.
Sipas tij, hetimet është duke i kryer Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës, ndërkaq në proces të hetimeve janë të përfshirë vetëm prokurorë të EULEX-it.
Në anën tjetër, në Policinë e Kosovës nuk kanë autorizim që të flasin në lidhje me këto hetime. Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani tha se të vetmit që mund të flasin për hetimet është prokurori i EULEX-it.
Pa dhënë shumë detaje, Kelani konfirmon se Policia e Kosovës së bashku me Policinë e EULEX-it janë duke i bërë hetimet për Veriun.
Hetimet për Veriun kanë filluar menjëherë pas incidenteve në Veri ku një polic i Kosovës u vra dhe disa të tjerë janë plagosur pas përpjekjeve për kthimin e sovranitetit në pikat kufitare 1 dhe 31.
Nëpërmjet një komunikate për media, EULEX-i ka bërë të ditur se në përputhje me legjislacionin relevant ka nisur hetimet në tri incidente të ndryshme kriminale që kane ndodhur më 26 korrik në veri të Kosovës. Ato kanë të bëjnë me vrasjen e një polici të Kosovë në fshatin Zupç afër Zubin Potokut, tentim-vrasjen e zyrtarëve policorë të Kosovë me armë zjarri afër Zubin Potokut dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm me një mjet shpërthyer të hedhur ndaj një konvoji të Policisë së Kosovë afër Mitrovicës, me ç’rast është plagosur një zyrtar i Policisë së Kosovës.
Hetimet, sipas komunikatës për media të misionit, po kryhen nga Task Forca e Mitrovicës, që përfshin prokurorët nga Gjykata e Qarkut e Mitrovicës dhe Policia e EULEX-it.
Më 25 korrik me urdhër të kryeministrit Hashim Thaçi, njësitë speciale të Kosovës janë nisur drejt pikave kufitare në Bërnjakë dhe Jarinje për të shtrirë sovranitetin e shtetit në këtë pjesë, e cila që nga paslufta nuk kontrollohej nga institucionet e Kosovës.
Serbët e revoltuar dhe të dirigjuar nga Beogradi për ta penguar aksionin e Policisë së Kosovës kanë vendosur barrikada nëpër rrugë si dhje ka pasur përleshje me armë.
Më 26 korrik, në fshatin Zupç të Zubin Potokut u vra Enver Zymeri, polic i njësisë speciale të Kosovës, si dhe janë plagosur disa të tjerë.
Një ditë pasi serbët e revoltuar kanë djegur objektet e pikës kufitare në Bërnjakë, me ç’rast policia e EULEX-it është detyruar që të largohet nga aty.
I është dashur KFOR-it që të ndërhyjë në mënyrë që situata të normalizohet.
Edhe pas më shumë se dy javësh nuk është hequr barrikada në fshatin Rudare, në drejtim të Leposaviqit, ndërkaq nëpër vende të tjera janë hequr ato. Kjo ka ardhur si rezultat i bisedimeve në mes të KFOR-it dhe zyrtarëve të qeverisë serbe.
Kërkojnë ndihmën e Ban Ki Moonit
Në ndërkohë, kryetarët e komunave paralele në Veri i kanë dërguar një letër Sekretarit të OKB-së, Ban Ki Moon, nga i cili kërkojnë të aprovojë mandatin legal të tij që i është besuar nga Këshilli i KB-së, dhe të parandalojë përdorimin ilegal të forcës dhe aksionet ushtarake ndaj civilëve në veri të Kosovës. Në këtë letër përshkruhet edhe shqetësimi i banorëve serbë në Veri, se veprime dhe aksione të tilla do të vazhdohen sërish në një të ardhme të afërt, për çka dëshmon informata se sipas tyre KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës do të zbatojnë aksione, të cilat do të kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e qytetarëve në Veri, e ndoshta edhe të ushtarëve të KFOR-it dhe pjesëtarëve të EULEX-it.
“Kjo është bazuar në deklaratën e dhënë dje për media nga ana e komandantit të KFOR-it, Erhard Buhler, ku thuhet se ‘do të rreshtojë të gjithë ushtarët e KFOR-it, EULEX-it dhe policët shqiptarë në veri të Kosovës’. Andaj, kërkojmë nga ju të ushtroni mandatin tuaj që ju është besuar dhe të informoni Këshillin e Sigurimit, si dhe Kuvendin, në mënyrë që të parandalohet operacioni i cili mund të ketë pasoja katastrofale”, thuhet mes të tjerash në letër.
Kjo letër, përveç Sekretarit të Përgjithshëm të KB-së, Ban Ki Moon, është dërguar edhe në adresë të shefit të UNMIK-ut në Kosovë, Farid Zarif, shefit të EULEX-it, Xavier de Marnack shefit të OSBE-së, Werner Almhofer, komandantit të KFOR-it, Erhard Buhler, si dhe përfaqësuesit rajonal të UNMIK-ut në Mitrovicë, Anila Vasisht.