“Who let the dogs out”
Kur banoja në Romë para disa vitesh, më ka rastisur të dëgjoja një histori tejet të veçantë në një nga puntatat e “Maurizio Costanzo show”. Diskutohej me interes për alarmin që po shkaktonin asokohe qentë brigandë të Bukureshtit, të cilët kishin “pushtuar” kryeqytetin rumun. Në mos gaboj, bëhej fjalë për vitin 2001.
Sipas dialoguesve, shifra vërtitej në rreth 300.000 “qenër” ose në raport 1 me 7 me banorët “humanë” të kryeqytetit. Kjo nënkuptonte se ata ishin një pakicë e fuqishme me një “zë”, i cili mund të dëgjohej fort nga të gjithë dhe që në fakt ishte i tillë.
Mund të imagjinohet fare lehtë impakti akustik që krijohet nga ulërimat e 300.000 qenve në një kryeqytet europian. Sigurisht që Bashkia e Bukureshtit mori masa, të cilat nga shumë u konsideruan drastike dhe barbare për eliminimin e problemit. E megjithatë, “me të mirë a të keq” strukturat e Bashkisë së Bukureshtit ia arritën të zgjidhnin atë hall të madh që kishte kapluar qytetin.
Por banorët e Bukureshtit duhet të ndihen më të lehtësuar, sepse ata nuk janë të vetëm në këtë rekord turpërues. Ata prej kohësh, dhe pse ndoshta pa dijeninë e tyre, kanë pasur si bashkëvuajtës të këtij halli dhe qytetarët e Tiranës sonë (Tirona e kontraditës së madhe).
Për sa i përket shifrës së popullsisë “Canine” që banon në Tiranë, me thënë të drejtën nuk di të ketë një të tillë, sepse për këtë duhet të ketë një census ekzakt të kryer nga bashkia ose ndonjë nga ato shoqatat jofitimprurëse.
Megjithatë, me sy të lirë duken “bajagi”, si thonë shkodranët, dhe është fakt se ata janë bërë pjesë e pandarë e çdo lagjeje dhe rruge të kryeqytetit.
Disa syresh, siç duket, bëjnë jetë bohemiane dhe vetmitare, të tjerë janë më të prirë për të relatuar dhe ndarë gëzimet e jetës me grupin. I shikon të shtrirë mes rrugëve duke bërë banjo dielli, duke u kruajtur mbas ndonjë muri a peme ose duke pritur jeshilen e semaforit bashkë me njerëzit.
Po ta vesh re, ata madje në shumë raste janë më të kujdesshëm dhe korrektë në zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor. Nëpër parqe i ke, ku të rastis t’i shikosh dhe afër karrocave të fëmijëve të vegjël.
I gjen kudo, në Bllok ngjitur me tavolinat e kafeneve “all aperto”, aq afër me njerëzit sa mund të dëgjosh parazitët e tyre kur bëjnë sherr brenda leshit. I ke në qendër, tek i bëjnë roje Bej Skënderit dhe Pashë Sulejmanit. I gjen në Kombinat, Laprakë, Porcelan, “ke Tirona Re e ke 21”, në Ali Dem. Është e vështirë të mos shkelësh në papastërtitë që ata lenë në rrugë pa përdorur teknika të avancuara sllallomi skior.
Nuk e di se sa pjesë në faj kanë në këtë rast “qentë e litarit” dhe pronarët e tyre.
U kërkoj ndjesë qenve bohemë që po i braktis për një moment,
për t’u marrë shkurtimisht me një problem, që lind kësaj radhe jo për fajin
e “qenve të rrugës”.
Vitet e fundit ka plasur një modë tjetër perëndimore te ne, të mbajturit e qenve në apartament. Dhe si ndodh për çdo modë që importohet nga ne, edhe kjo është përhapur masivisht. Shikon “Laca” që ecin në tufë dhe kanë me vete ndonjë Pitbull, Rottweiler ose Doberman që u prin rrugën. Zonja e zotërinj të moshuar që marrin qenin kudo që shkojnë, si për të thyer vetminë. Vajza të reja që dalin me qenushë leshatorë e i shikon duke u puthur e lëpirë me qenin buzë më buzë.
Por për një fakt po ju vë në dijeni dhe për këtë u kërkoj ndjesë të gjithë lexuesve.
Kur puthni dhe lëpini qenin tuaj, kini parasysh se “bubi” nuk ka dorë për të pastruar pjesët e trupit të tij dhe këto pastrime i kryen me ……………………
Dhe një gjë tjetër: Ata qytetarë që nxjerrin qentë e tyre për t’i ajrosur, duhet të kenë parasysh se shoqëritë që kanë krijuar këtë modë, p.sh. Anglia, e kanë detyruar dhe ndërgjegjësuar pronarin e qenit që të dalë me një mashë në dorë, dhe të mbledhë me të ato që lëshon qeni i tij në rrugë a lulishte. Mund t’ju kujtohet rasti i Presidentit Bush, i cili vraponte me një mashë të tillë në dorë, që të mblidhte atë që kishte lënë qenushi i tij në lulishten e “White House”.
Mbas këtij pit - stopi i rikthehemi objektit të temës sonë të parë “leshatore”
Kur një shtetas i huaj vjen të vizitojë Tiranën tonë, krahas Xhamisë së Ethem Beut, Skënderbeut, parafabrikateve të lyera me ngjyra kaleidoskopike si ato të lagjes “ El Hatillo” në Karakas dhe bustit të Fan Nolit (i cili mund të njihet vetëm me ndihmën e targës që i është vënë), do të marrë me vete dhe një kolazh të veçantë kujtimesh me bazë “qenore” si rrallë do t’i ndodhë në jetën e tij.
Këtu ai do të sodisë me habi:
Buçe me gjinj të tejfryrë nga sëmundjet qenore, saqë fshijnë tokën kur kalojnë.
“Qenër” akrobatë që qëndrojnë me një ekuilibër të admirueshëm majë kazanëve të bashkisë, për t’u kthyer hera-herës në tufatorë noti kur pikasin ndonjë “Delice coulinaire” në fund të kazanit dhe për të parakaluar më pas nëpër rrugët e Tiranës me krenari duke mbajtur qesen e plehrave dhe bishtin lart. Më pas turisti ynë i gjorë do qeshë a qajë me disa “të damkosur”, si një qen te lagjja ime që ka në njërin vesh një nga ato pullat plastike të cilat u vihen lopëve për t’i njohur. Është ende mister si ka përfunduar te veshi i balos (jo leshi i balos) ajo targë plastike ose si ka përfunduar një shishe po plastike nga ato 5-litroshet në kokën e një qeni të gjorë që endej rrugëve të “Komunës së Parisit”, kjo para shirave se pas shirave nuk do kalonte dot atyre anëve pa pluskuar mbi ujëra pusete.
Dhe në fund turisti do tmerrohej kur të shikonte nga ata rrjepacukët me zgjebe që po shtohen dita-ditës dhe që me sytë e tyre të lodhur sikur të luten për një fund të shpejtë të vuajtjeve të tyre.
Zoti na ruajt! Pak jemi në hall me gripin e derrave, tani duhet të ruhemi dhe nga zgjebja e qenve. Jemi me fat që asnjë nga turistët e huaj ende nuk është sulmuar a kafshuar nga endacakët e tërbuar, gjë që mund të çonte, pse jo, dhe në ndonjë incident diplomatik mes vendesh.
Them turistët se vetëm ata protestojnë në këto raste në institucionet përkatëse, ndërsa shtetasit tanë, kush e di sa herë janë sulmuar, kafshuar “e gjëmuar” nëpër lagje nga kopetë e harbuara dhe nuk e kanë ngritur kurrë zërin për këto vuajtje psikike e fizike.
Realisht janë të shumta rastet e tilla dhe për këtë fakt besoj janë të informuar të gjithë.
Ka raste kur ndihesh i detyruar të ndërrosh rrugë për të evituar “bandat e tërbimit”.
Çuditërisht, duket sikur qytetarët e Tiranës e kanë pranuar këtë situatë dhe janë mësuar me praninë e qenve endacakë në rrugët e pallatet tona. Ndoshta dikush është miqësuar me ta dhe ka filluar që t’i ushqejë e t’u drejtohet me emër të përveçëm.
Por ata duhet ta kuptojnë dhe ndërgjegjësohen se vetëm shoqëritë me nivelet më të ulëta mund të pajtohen me një situatë të tillë. Ne nuk duhet të etiketohemi si një shoqëri e tillë, nga asnjë qytetar evropian, amerikan a kinez dhe të bëhemi objekt talljesh globale.
Ky është një skandal që ndodh në mes të Evropës në vitin 2009, për shkak të papërgjegjshmërisë evidente të strukturave të Bashkisë së Tiranës.
Prandaj, për të mirën e shëndetit të qytetarëve të Tiranës, turistëve vendas e të huaj, por dhe të imazhit të vendit, i bëjmë thirrje, apel e çdo gjë tjetër Bashkisë së Tiranës që të marrë masa urgjente dhe “drastike” për normalizimin e kësaj situate surreale dhe mënjanimin e fenomenit qen-bohemë.
Ato kafshë në vend që të vriten (gjë që do të rezultonte ekstreme dhe barbare) mund të sterilizohen në bazë të një programi që mund të ndërtohet në akord me shoqatat e mbrojtjes së kafshëve dhe transportohen në strukturat përkatëse të ngritura siç vepron çdo bashki e një qyteti evropian.
E rëndësishme është që bashkia këto nisma duhet t’i marrë sot, jo nesër.
Drejtuesit e saj janë të paguar nga qytetarët e Tiranës për t’u shërbyer atyre me përgjegjshmërinë më të madhe, si u ka hije qytetarëve të Tiranës, të cilët meritojnë zgjidhjen e çdo lloj problemi që ka qyteti i tyre.
Nëse ky problem serioz nuk zgjidhet nga bashkia, e cila e ka për detyrë ta zgjidhë (dhe do të jetë një mëkat i madh, nëse ajo nuk do të gjejë zgjidhje për këtë çështje), ne si qytetarë do të ndihemi të shtrënguar t’i drejtohemi Ministrisë së Rendit e në mungesë të një përgjigjeje, Ministrisë së Mbrojtjes ose Gardës së Republikës. Ndoshta ndonjë shoqatë për mbrojtjen e kafshëve mund të alarmohet nga kjo ide në dukje ekstreme. Natyrisht që “ndihma e ministrive apo Gardës për këtë rast” është një shaka, që bëhet për të shtensionuar sadopak këtë situatë tragjikomike. Por ky problem në të vërtetë është real. Ato janë kafshë të pavaksinuara, mbartëse të sëmundjeve të ndryshme, si: zgjebja, tërbimi dhe krijojnë probleme sociale të mëdha si ndotja akustike dhe ajo materiale.
Edhe pse personalisht nuk dëshiroj dëmtimin e asnjë kafshe, të cilat nuk janë aspak përgjegjëse, sepse me sa jemi në dijeni, ato nuk kanë një ndërgjegje - ato mbi të gjitha janë krijesa frymore dhe si të tilla nuk duhen cënuar a dëmtuar, kjo në bazë të parimeve morale humaniste dhe religjioze - por nga ana tjetër nuk mund të konceptohet vënia në rrezik e shëndetit të krijesave - njerëz para atyre kafshë.
Nëse do më duhej të zgjidhja në një situatë ekstreme midis ruajtjes së shëndetit të një njeriu dhe asaj të një kafshe, do të zgjidhja menjëherë shpëtimin e jetës ose mosdëmtimin e njeriut.
Shpresoj me sinqeritet që të mos mbërrihet ndonjëherë në këtë pikë, por kjo situatë në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë sa po vjen e përkeqësohet. Nëse nuk ndërhyhet tani që numri i tyre ndoshta nuk është në shifra alarmante, nesër do të thonë se “është tepër vonë për të dhënë një zgjidhje të butë”. Nesër, Bashkia e Tiranës mund të përballet me rastin Bukuresht, kur qentë e rrugës ishin aq shumë në numër saqë Bashkia e Bukureshtit në vend të përgatiste një strategji sterilizimi dhe spostimi të kafshëve jashtë qytetit në një zonë të caktuar deri në përfundimin e ciklit jetësor, “i binte shkurt” dhe i grumbullonte në tufa me mijëra individë në një godinë, ku dhe u jepte fund me një dozë magnezi-fosfati në zemër, pa anestezi.
Ky nuk duhet të jetë modeli i zhvillimit të jetës në një qytet. Standarde të tilla kërkese kaq të ulëta për cilësinë e jetës në kryeqytet duhen eliminuar.
Tirana nuk duhet të njihet si “Dog City” - qyteti i qenve, por mundësisht si “Green City” - qyteti i luleve dhe gjelbërimit.