Prokurori; Rezart Taçi, në Prokurori, firmos akuzën
Përfundojnë hetimet për biznesmenin Rezart Taçi, në prani të avokatit njihet me akuzën dhe firmos mbylljen e hetimeve. Për herë të parë, dje, për afro 15 minuta, biznesmeni i liruar tri javë më parë nga Gjykata e Apelit, paraqitet në Prokurorinë e Tiranës ku është njohur me mbylljen e hetimeve, akuzat ndaj tij dhe faktin që dosja shumë shpejt do të depozitohet për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Në prani të avokatit Maks Haxhia, rreth orës 12:00, Taçi ka firmosur njohjen me dosjen dhe akuzat. Ndërkohë që sot paradite pritet që të njëjtën procedurë të ndjekin edhe dy badigardët e tij, Irgen Selfo e Bledar Dilo, të dy nën hetim në gjendje të lirë, njëri i liruar në Apel dhe tjetri pak ditë më parë nga Gjykata e Lartë. Burime nga prokuroria kanë konfirmuar faktin, duke bërë të ditur se biznesmeni i naftës ka firmosur përfundimin e hetimeve ndaj tij, duke i hapur kështu rrugë dërgimit të dosjes në gjykatë nën akuzën e “goditjes për shkak të detyrës” të gazetarit Mero Baze. Ngjarja ndodhi në mbrëmjen e 2 nëntorit në një lokal në zonën e Bllokut. Biznesmeni së bashku me dy shoqëruesit e tij akuzohen se ushtruan dhunë ndaj gazetarit Mero Baze, ndërkohë që fakti u mohua nga vetë biznesmeni Taçi dhe është pranuar vetëm nga njëri prej badigardëve.