E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektimi i Cooperit

Dy ditë para takimit në Bruksel, përfaqësuesi i BE’së, Robert Cooper ka takuar zyrtarët e Kosovës dhe të Serbisë. Qëllimi i tij ka qenë të mësojë se cilat janë gjasat për marrëveshje eventuale në raundin e pestë të dialogut. Expressi mëson se vulat doganore janë tema më e rëndësishme- edhe nëse Serbia i pranon ato, mbesin mospajtimet për doganat. Nga Valmir Klaiqi më 31 gusht 2011 në ora 08:16

Përfaqësuesi i Bashkimit Europian në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper ka testuar gatishmërinë e palëve për marrëveshjet rreth çështjeve që janë në agjendë në takimin që është caktuar të mbahet këtë të premte në Bruksel.

Cooper është takuar të martën në Prishtinë me zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ndërkaq një ditë më herët ka qëndruar në Beograd, ku ka biseduar me shefin e delegacionit serb, Borislav Stefanovic.

Lehtësuesi i dialogut ka biseduar dje me Edita Tahirin, shefe e delegacionit kosovar. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Vlora Çitaku, Ministrja për Integrime Europiane. Diplomati evropian ka pasur një takim edhe me Kryeministrin Hashim Thaçi, ka raportuar RTK’ja.

Cooper është detyruar të shtyjë raundin e pestë të dialogut që është dashur të mbahet më 20-21 korrik, për shkak se pala serbe nuk kishte treguar e gatshme të pranojë vulat doganore të Kosovës.

Ndërprerja e dialogut ka ndikuar që Qeveria e Kosovës të marrë vendim për embargo ndaj mallrave serbe dhe të dërgojë forcat speciale të policisë për të zbatuar këtë vendim në pikat doganore në kufijtë veriorë.

Delegacioni serb shpreson se me pranimin e vulave doganore të Kosovës do të hiqet embargoja ndaj mallrave serbe, por kjo vështirë se do të ndodhë për shkak se Beogradi është kundër funksionimit të doganave në Veri.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka deklaruar për Express se Cooper ka ardhur në Prishtinë në funksion të përgatitjes së takimit të pestë me palën serbe.

“Qëllimi i kësaj vizite nga ana e zotit Cooper ishte përgatitja për takimin e 2 shtatorit në Bruksel, dakordimi për agjendën, si dhe diskutuam rrjedhat e dialogut, por edhe çështjet veç e veç i diskutuam për të parë se sa janë avancuar palët rreth arritjes së marrëveshjes”, ka thënë ajo përmes telefonit.

Kryenegociatorja Tahiri foli për vullnetin e palës kosovare që të arrihen marrëveshje për të gjitha çështjet në agjendë që tashmë është zyrtare.

“Mund të them se pala e Kosovës është e gatshme që të arrihet e gjithë pakoja e pesë çështjeve. Pra, janë katër çështje nga raundi i kaluar, vulat, energjia, Telekomi dhe kadastrat, plus një pikë të re e kemi bashkëpunimin rajonal ose eliminimin e pengesave, të cilat i janë bërë Kosovës në përfaqësimin e barabartë në organizmat rajonal”, ka thënë Tahiri.

Por ajo nuk është e sigurt se çfarë qëndrimi do të mbajë ekipi i Beogradit. Megjithatë, Tahiri ajo vlerëson se diplomacia perëndimorë mund të ndikojë që Serbia të jetë konstruktive.

“Nga pala serbe ka retorika që nga fillimi për marrëveshje, por realisht kur vijmë te marrëveshja, ata bëjnë tërheqje. Se çfarë do të jetë pozicioni i tashëm, mbetet të shihet por besoj se diplomacia amerikane dhe ajo evropiane i ka bërë të qartë edhe Serbisë se është koha e marrëveshjeve, koha e zbatimit të parimeve europiane. Dhe tani pritet kontributi i Serbisë në konstruktivitet në dialog”, ka thënë ajo.

Zëvendëskryeministrja Tahiri ka siguruar Cooperin se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve praktike me shtetin fqinjë Serbinë përmes dialogut, duke respektuar plotësisht Kushtetutën, ligjet dhe Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe parimet euroatlanike.
“Sikurse gjatë gjithë procesit të deritashëm, pala e Kosovës mbetet një palë konstruktive në dialogun teknik duke kontribuar për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal si standarde kruciale për integrimin europian të Kosovës”, ka thënë ajo.

Zyrtarët kosovarë dhe ekipi i Cooperit janë pajtuar se dialogu në Bruksel është në funksion të fqinjësisë së mirë dhe forcimit të paqes dhe stabilitetit rajonal, si dhe në interes të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe përshpejtimit të integrimeve evropiane për të dyja shtetet.

Gjatë vizitës në Prishtinë, Cooper është shoqëruar nga përfaqësuesi i BE’së në Kosovë, Fernando Gentilini si dhe dy diplomatë të tjerë evropianë. Në takimin e 2 shtatorit, në Bruksel, Qeverinë e SHBA’së do ta përfaqësojë Philip Reeker.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›