E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wikileaks: Pesë gratë më të fuqishme në Kosovë

Në një letër, Ambasada Amerikane në Kosovë ka evidentuar se presidentja aktuale e Kosovës, Atifete Jahjaga, para katër vjetësh ishte njëra prej grave me më ndikim në Kosovë, zbulon Wikileaks përmes publikimit të korrespodencës së ish-ambasadores Tina Kaidanow.

Në korrespodencën e ish-ambasadores me Departamentin Amerikan të Shtetit, shënohet se zyrtarja politike e Ambasadës Amerikane në Prishtinë për çështje të grave, Heidi Barrachina ka identifikuar pesë gratë me më ndikim në Kosovë dhe tre gratë e Kosovës, të cilat kanë ndikim më shumë tek minoritetet.

1. Flaka Surroi paraqitet e para në listën e amerikanëve si gruaja më e fuqishme në Kosovë.

2. Jeta Xharra cilësohet si femra e dytë më e fuqishme në Kosovë.

3. Pranvera Dobruna, gruaja e tretë e renditur në kabllogramin e Ambasadës së SHBA-së, përshkruhet si grua me ndikim të fuqishëm, ngase është Drejtoreshë Menaxhuese e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), e cila vlerësohet si e përfshirë drejtpërdrejt në influencimin e rregullave të energjisë.

4. Atifete Jahjaga, gjeneral-majore, gruaja e katërt me radhë e përshkruar në kabllogramin e paklasifikuar, përshkruhet me funksion si Komisionare asistuese në Bordin e Sigurisë dhe Policisë Kufitare të Kosovës. Ndërsa, në përshkrimin e jetës së saj, cilësohet si udhëheqëse kyçe në Policinë e Kosovës, e cila ka punuar në promovimin e demokratizimit të forcës së policisë. Ajo ishte femra e parë kosovare që ka arritur gradën Gjeneral-lejtënante dhe pastaj Komisionare asistuese dhe oficerja e parë e Shërbimit Policor të Kosovës, e cila është pranuar në Akademinë e FBI-së, në Quantico të Virgjinias. Jahjaga edhe në biografinë e saj zyrtare ka shënuar se ka ndjekur programe studimore në Akademinë e FBI-së.

5. Mimoza Kusari-Lila, në atë kohë drejtoreshë e Dhomës Ekonomike Amerikane në Kosovë, është cilësuar si zëri i komunitetit të Kosovës, e cila përshkruhet se ka pasur influencë direkte në rregullat e investimeve të huaja dhe ekonomike të Qeverisë.

Dokumenti përmend edhe gra të fuqishme nga minoritetet në Kosovë, Vesna Jovanoviç, anëtare e Kuvendit të Kosovës, si pjesë e “Listës serbe për Kosovë e Metohi”, Nadira Avdiç-Vllasi, kryeredaktore e programit në gjuhën boshnjake në RTK dhe kryeredaktore e revistës “Alem” në gjuhën boshnjake, si dhe Hilmnijeta Apuk, drejtoreshë dhe themeluese e organizatës “Little People of Kosovo” , drejtuese financiare në Ministrinë e Shëndetësisë, përfaqësuese e komunitetit dhe e njerëzve me aftësi të kufizuara dhe shefe e gazetës për personat me aftësi të kufizuara.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›