E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Wikileaks”, Rama: SHBA, monitoron punën e qeverisë

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar në lidhje me publikimet e kabllogrameve të “Wikileaks” për Shqipërinë. Rama deklaron se SHBA monitoron punën e qeverisë shqiptare për ndërtimin e shtetit, funksionimin e institucioneve në Shqipëri. Sipas tij, vëmendja e SHBA është ndaj një vendi mik, një aleati shumë të vogël, po aspak të parëndësishëm, sidomos për fatet e rajonit, një populli të cilin Amerika e rendit me plot të drejtë ndër besnikët e vet dhe përpiqet ta ndihmojë në rrugëtimin e vështirë, pas daljes nga humnera e diktaturës. Pavarësisht se ç`ngjyrë kanë qeveritë e tij dhe kush i kryeson ato.

“Në këtë rrugëtim, Amerika kërkon të dijë gjithshka, të kuptojë çdo gjë, të ketë një këndvështrim të vetin mbi këdo që shqiptarët zgjedhin si përfaqësues. Por, pa thënë asgjë të re deri këtu, dua të shtoj më tutje disa fjalë lidhur me diçka tjetër. E cila lidhet me komentet e rrjedhjeve prej kabllove informatike vetëm si shtysë, por ka të bëjë me llumin e pushtetit që ka mbytur shtetin për të mbajtur peng të vërtetat që i dinë të gjithë”, shkruan Rama.
 

Kreu socialist thekson se rrjedhjet e kabllove informatike, që në Shqipëri, s`ka si të jetë ndryshe, shihen si arteriet që lidhin zemrën e botës e të demokracisë perëndimore me vendin tonë dhe, krejt natyrshëm, i kanë përfshirë shqiptarët në emocionet e qëmtimit të brendisë së tyre. “Për të parë e kuptuar, duke e vënë veten nga ana e retinës së syve të Amerikës mbi ne, çdo gjë që Amerika sheh tek ne. Askund tjetër ky ushtrim botëror vuajerizmi s`ka ngjallur e s`ka sesi ngjall një të këtillë pasion popullor. Ky është vendi më proamerikan i botës, jo ngaqë qeveritë kanë vendosur të jetë kështu, po sepse vetë shqiptarët, konsensualisht, janë të dhënë pas Amerikës më shumë se çdo popull tjetër sot”, vijon Rama.
 

Kreu i Partisë Socialiste shtron një pyetje për Presidentin e Republikës dhe Prokuroren e Përgjithshme: Çfarë e justifikon katandisjen e katrahurës vrastare të Gërdecit në një proçes tallës për dinjitetin e çdo qytetari të këtij vendi?
 

“E di që shumëkush do hidhet përpjetë duke e lexuar këtë pyetje e do më kujtojë rrahjen time të shpatullave të Saliut në derën e spitalit atë ditë, por askush s`duhet të harrojë se atë ditë kishte vetëm vdekje, plagë e tym të zi. Askush përveç krijuesve të fabrikës së vdekjes e vetë Saliut s`dinte gjë në botë për çka mësuam më vonë. Shumë më vonë edhe se kapërcimi i pragut të NATO-s pak javë më pas, kur Shqipëria, asnjë parti në Shqipëri, s`mund të zhytej në spiralen e një krize të brendshme politike, duke harruar për më tepër se Amerika, avokati ynë i madh që na hapi derën e NATO-s dhe u bë garanti ynë më i vendosur para gjithë familjes euroatllantike, na priste në atë prag. E në fund të fundit s`qe assesi hedhja e valles së vdekjes mes partive politike, po drejtësia ajo që duhet të ndriçonte rrugën e së vërtetës, duke e hedhur vallen siç ia kërkon Kushtetuta e ligji, e jo siç diktojnë frikërat njerëzore e çfarëdo interesash vetjake, kur vetë puna e drejtësisë e ka të nënkuptuar lënien mënjanë të tyre”, shton kreu socialist.
 

Ai gjithashtu thekson se pyetja për Presidentin dhe Prokuroren e Përgjithshme nuk fajëson as njërin as tjetrin prej tyre, sepse sipas tij jo vetëm as njëri as tjetra nuk kanë detyrë të dënojnë askënd.

“Kjo është punë e gjykatave që kanë mbetur në dorën e Sashenkës e të Tomës dhe s`ia vlen as harxhimi i letrës, jo më fjalës, për të shkruar ndonjë pyetje për gjykatësit e Gërdecit, Kalimashit a 21 janarit e me radhë, po edhe njëri, edhe tjetra, me të tyren kanë bërë sa kanë mundur. Problemi është se këto të gjitha janë krime që s`duan debat, po ndëshkim dhe kur ndëshkimin e zëvendëson debati mes qeverisë e opozitës, ndërkohë që gjykatat qetësisht zbardhin vendime që i pushojnë çështjet si jashtë afatit, si me mangësi teknike në dosje, si me ku di unë çfarë marifeti tjetër, atëherë s`janë vetëm pesë gazetarë të mbetur si specie në zhdukje që duhet të hapin gojën. Edhe këta xhanëm nuk është se i kursen lluca e banalizimit të debatit, përkundrazi, i kanë njehsuar me opozitën, paçka se as opozitën s`e kursejnë kur ua do puna e tyre”, thekson Rama.

Sipas tij, për këto krime popullit i duhet të paktën të mësojë me fjalë nga ata që kanë mbetur ende pa u kapur në krye të institucioneve që lidhen me drejtësinë, se çfarë ka përtej llucës së banalizimit të debatit të këtyre me ata, kur vritet, vidhet, rrihet e s`kupton dot megjithatë se ç`bëhet.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›