E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withërs: Do ju mbështesim për reformimin e policisë

14/03/2010 Diplomohen 49 kursantët e rinj. Përfunduan kursin teorik 22 javor

Studentët do jenë pjesë e Patrullës së Përgjithshme të policisë

Ka përfunduar kursi i katër 22 javor, për 49 kursantët e rinj që së shpejti do i bashkohen Patrullës së Përgjithshme të Policisë. I pranishëm në ceremoninë e dhënies së diplomave ka qenë ambasadori amerikan Xhon Withërs, i cili ka përshëndetur efektivat e policisë, duke i garantuar ata se dy misionet amerikane si ICITAP dhe PAMECA III, do vazhdojnë të japin ndihmën e tyre me qëllim reformimin e plotë të Policisë së Shtetit. Sipas ambasadorit ky trajnim lejon policinë e shtetit shqiptar që të emërojë apo të caktojë personelin e saj me më shumë fleksibilitet, duke u mundësuar oficerëve një mundësi për të pasur një eksperiencë në detyra të shumëllojshme gjatë karrierës së tyre në polici. “Sot dëshiroj të përgëzoj gjithashtu stafin akademik dhe personelin për të gjithë përpjekjet e tyre në zhvillimin e këtyre burrave dhe grave profesionistë të cilët përfaqësojnë të ardhmen e policisë shqiptare”-u shpreh Withërs. Më tej ai inkurajoi studentët që të kombinojnë arritjet e tyre gjatë këtyre 22 javëve të trajnimit me pasionin për karrierën dhe krenarinë për kombin. Ndër të tjera, ambasadori amerikan evidentoi faktin se programi ICITAP, mbetet i dobishëm në zhvillimin e strukturës më të fundit trajnuese të Policisë së Shtetit. Ndërsa Zv/drejtori i Përgjithshëm për Trajnimin Policor në Policinë e Shtetit, Ahmet Haxhiaj, vlerësoi trajnimet e modeluara sipas praktikave më të mira të vendeve perëndimore. Sipas tij policia shqiptare shumë shpejt do të mund të ofroj shërbim shumë më cilësor për qytetarët e saj. “Ata që do ta bëjnë këtë, do të jenë së pari ju dhe kolegët tuaj të trajnuar sipas këtyre modeleve. Ju sigurojmë që do të jemi gjithmonë pranë jush, do të luajmë rolin e duhur dhe do të përmbushim përgjegjësinë tonë për të mbështetur gjatë gjithë karrierës veprimtarinë tuaj.”- përfundoi Haxhiaj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›