E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Politikanët e lidhur me krimin në Shqipëri

Ish-ambasadori John Withers gjatë muajit gusht të vitit 2009, ka dërguar një dokument në Departamentin amerikan të Shtetit, ku flet për lidhjet me krimin të deputetëve socialistë, si Tom Doshi, Paulin Stërkaj, si dhe kreut të grupit Gramoz Ruçi. Në letër përmenden edhe Sokol Olldashi, deputet i Partisë Demokratike dhe Lefter Koka, deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Sipas Withers, deputeti Doshi super i pasur, dyshohet për trafikim të lëndëve narkotike. Në lidhje të tilla, sipas kabllogramit është edhe deputeti i LSI-së, Lefter Koka, dhe “ndoshta është anëtari i familjes më famëkeqe të krimit të organizuar në Shqipëri, e lidhur me trafikun e lëndëve narkotike dhe trafikun e njerëzve si dhe aktivitete të tjera të paligjshme”.

Në këtë linjë gjendet edhe deputeti Paulin Stërkaj, i cili nga ambasada amerikane në Tiran përshkruhet si një “ish-mundës profesionist, me pak arsim, ose me asnjë edukim. Stërkaj ishte në Partinë Socialiste dhe është akuzuar nga një ish-miku i tij për vrasjen e një politikani vite më parë në Shkodrë. Stërkaj pretendon se ka biznese me karburantet, restorante dhe ndërtim, por pak dihet për aktivitetin e tij”.

Edhe Gramoz Ruçi është në “listën e zezë” të ambasadës amerikane në vendin tonë si njeri i lidhur me krimin. “Ka një lidhje të hershme me trafikantët e lëndëve narkotike dhe krimin e organizuar. Ruçit i është ndaluar gjithashtu edhe hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku që nga viti 2005 nuk ka të drejtë të marrë vizë”, thuhet gjithashtu në kabllogram.

Për sa i përket deputetit dhe ministrit aktual të Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, ish-ambasadori Withers shkruan se ai “dyshohet për kontrabandë mallrash dhe lëndësh narkotike. Prova rrethanore lidhin Olldashin me Fatmir Kajollin në Fier, për të cilin ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, përdori një skemë për ta liruar nga burgu për të punuar si komisioner”. /Start/

                                                                                             2011-09-03 08:02
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›