E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Përsërite 21 janarin, do të kesh përgjigjen më fatale”. Rama: Je si Mubaraku

17/01/2012  21 janari, Kryeministri paralajmëron Ramën

Pak ditë nga njëvjetori i 21 janarit, dita e protestës së opozitës, Kryeministri Berisha e siguron kundërshtarin e tij politik Edi Rama se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje për të çuar para drejtësisë autorët e ngjarjes. Nga mbledhja e grupit parlamentar ai i kujton liderit të opozitës edhe mesazhin e dy ditëve pas ngjarjes, për të cilën premtoi se do të jetë i pandryshuar. “21 janari i vitit të kaluar, si një ngjarje që synoi të përmbysë një qeveri legjitime me dhunë, si një ngjarje që në një akt të pandodhur tetë dekadat e fundit, u përpoq të instalonte një juntë të një grushti njerëzish, që donin që mandatet e dyta t’i kishin bazuara mbi dhunën, është një ngjarje e shëmtuar. Dua t’i them zotit Rama: mesazhi që të kam dërguar më datën 23 janar 2011 është dhe do të mbetet për mua, sa të jem në politikë, i pandryshuar”, - deklaroi Berisha. Në mbledhjen e pazakontë të qeverisë më 23 janar Kryeministri Berisha e paralajmëroi në mënyrë të qartë kreun e opozitës se në rast përsëritjeje të një proteste të tillë ai do të ndëshkohej. “Unë dua t’i them atij në mënyrë përfundimtare: në një rast të dytë do ta garantoj se kurrë më s’do të mund ta mendojë. Ky është vendimi im përfundimtar. Çdo tentativë e tij për dhunë do të marrë ndëshkim. Ky nuk është kërcënim, unë nuk kërcënoj, sepse nuk jam ai që mund të hedhë gurin dhe fsheh dorën. Nuk do të merrem në këtë mënyrë me asnjë tjetër. Të gjithë do të jenë të amnistuar përveç atij. E bëre përsëri, do të kesh përgjigjen më fatale që mund të të jepet. Do të ketë zero tolerancë ndaj prekjes së çdo institucioni”, - i tha Edi Ramës mediatikisht shefi i qeverisë një vit më parë. Në vijim të fjalës së tij në mbledhjen e djeshme të grupit shefi i ekzekutivit u shpreh i pakënaqur edhe me punën e prokurorisë për këtë çështje. “Deri më sot nuk ka asnjë hetim për organizatorët e tij, nuk ka asnjë hetim për mandatprerët, që vendosën të kenë mandatin e dytë duke përzënë me zjarr dhe hunj një qeveri legjitime të vendit. E vërteta është se e kam dëgjuar gjithë këto ditë të çirret dhe të zotohet, por e garantoj se ngjarja do të hetohet. E garantoj se ngjarja do të hetohet dhe se ata që mendojnë se do ta kapërcejnë këtë pa hetim mashtrojnë veten”, - deklaroi Berisha. Duke iu referuar ngjarjes historike që shënon 21 janari, Kongresin e Lushnjës, Kryeministri premtoi se pikërisht për të nderuar ngjarjet e kësaj dite do t’i shkojë hetimit deri në fund. “E bëj këtë edhe në respekt të madh të atyre që më 21 janar e shpallën Tiranën kryeqytet, të atyre që themeluan një qeveri që bëri përpjekjet më të mëdha për të vendosur Shqipërinë në rrugën e konsolidimit të shtetit, në rrugën e konsolidimit të dinjitetit kombëtar dhe bënë gjithçka të parandalonin aventurierët, që kishin për profesion tregun me vendin e tyre”, - tha ai.

Berisha: 21 janari i shqiptarëve

“21 janari është data e Kongresit të Lushnjës, e asaj ngjarje që historianë të shquar e kanë vlerësuar si rithemelimin e pavarësisë së Shqipërisë, pasi e vërteta është se vitet 1912–1921 nuk ishin vitet e konsolidimit të pavarësisë. Përkundrazi, traktati i 1915-s përmbysi çdo gjë. Më 21 janar në Lushnjë u formua një qeveri me kryeministër Sulejman Delvinën. Kjo qeveri pati një ministër të Brendshëm, që sipas vendimit të Kongresit e bëri Shqipërinë me kryeqytet Tiranën, shpalli se do të çonte vendin drejt zgjedhjeve, nxori vendimet për prerjen e monedhës së parë. Ky është 21 janari për shqiptarët.”

Deklaratat e Kryeministri Berisha, kreu i PS-së reagon në “Tuiter”

Rama Berishës: Modeli yt si ai i Mubarakut

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka komentuar deklaratën e Kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Siç është bërë tashmë traditë, kundërpërgjigjet, qëndrimet ndaj zhvillimeve politike apo dhe të zhvillimeve brenda kampit të djathtë kreu i socialistëve preferon t’i bëjë në adresën e tij në rrjetin social “Tuiter”. Në këtë mënyrë dhe reagimi ndaj fjalës së kreut të mazhorancës erdhi po në këtë faqe. Përmes fjalive të shkurtra Rama trajtoi disa nga çështjet për të cilat foli Kryeministri Berisha. Kështu, ndalur në deklaratat e Berishës për modelin ekonomik dhe vlerësimet e ardhura për të, kryetari i socialistëve shkruan: “Modeli ekonomik e social i kësaj qeverie ka në themel padrejtësinë, paaftësinë, korrupsionin. Programi ynë ofron një model të ri për Shqipërinë.” Gjithashtu, duke qëndruar po në këtë linjë, kreu i PS-së nuk kursen kritikat ndaj këtij modeli të anonçuar nga kreu i mazhorancës. “Qeveria duhet larguar jo veç pse modeli i saj ka dështuar, po dhe pse dështimin e quan sukses të madh botëror, madje! Tallje e madhe e turpshme”, - shkruan Rama në “Tuiter”. Por në reagimet e tij Rama iu kundërpërgjigj dhe deklaratave që Berisha lëshoi në adresë të lidershipit socialist, përfshirë këtu dhe kreun e KLD-së. “Kurse unë i them Saliut se kërcënimet e tua më kujtojnë mikun tënd të madh Hosni Mubarak dhe tërë historitë e sojit të të fortëve mbi karrige”, - shprehet Rama lidhur me deklaratat e Kryeministri Berisha.

PS përkujton me homazhe një vit nga 21 janari

Më 21 janar Partia Socialiste do të zhvillojë homazhe për të përkujtuar katër protestuesit e vrarë në protestën e organizuar një vit më parë nga kampi opozitar. Në përkujtimoren që pritet të organizohet më 21 janar socialistët do të respektojnë më shumë ritet tradicionale shqiptare të ngushëllimeve sesa një manifestim publik homazhi. Në këtë ditë do të ketë disa organizime në nderim të viktimave. Socialistët do t’u bëjnë thirrje qytetarëve të Tiranës që të nderojnë viktimat në vendin ku ata humbën jetën, ku do të ndizen qirinj dhe vendosen lule për katër qytetarët - Ziver Veizin, Aleks Nikajn, Faik Myrtajn dhe Hekuran Dedën. Nuk pritet të ketë fjalime të rastit përpara Kryeministrisë, ndërsa vizita homazhi do të zhvillohen në shtëpitë e tyre pranë familjarëve. PS-ja do të ndajë disa grupe deputetësh, të cilët do të shkojnë në Fier, Gjirokastër, Lezhë, por dhe në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›