Withers: Zgjedhjet do të tregojnë se Shqipëria po lëviz më pranë integrimit të plotë euroatlantik

“Zgjedhjet, të lira e të ndershme që plotësojnë standarde ndërkombëtare, do të tregojnë që Shqipëria po lëviz më pranë integrimit të plotë euroatlantik. Çdo gjë, më pak se kaq, do të ishte shenjë regresi”.
Është ky mesazhi që ka dhënë dje Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers, i pranishëm në promovimin e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë që do të marrin pjesë në monitorimin e zgjedhjeve parlamentare. Me këtë rast kryediplomati amerikan në Tiranë, në fjalën e tij përcolli disa mesazhe domethënëse mbi procesin zgjedhor që po afron, duke e cilësuar atë një piketë shumë të rëndësishme të zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Në këtë kuadër ambasadori amerikan në Tiranë ka përfituar sërish nga rasti për te apeluar ndaj qytetarëve shqiptarë për të aplikuar sa më parë për pajisjen me kartën elektronike të identitetit.
“Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit përbëjnë një piketë shumë të rëndësishme në zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Këto janë zgjedhjet e para që mbahen pas hyrjes në Shqipërisë në Aleancën e NATO-s. Zgjedhjet, të lira e të ndershme që plotësojnë standarde ndërkombëtare, do të tregojnë që Shqipëria po lëviz më pranë integrimit të plotë euroatlantik. Çdo gjë, më pak se kaq, do të ishte shenjë regresi. Vëzhgimi dhe gjykimi ndërkombëtar i zgjedhjeve është i rëndësishëm, por kjo nuk është ajo që shërben si roje e një procesi elektoral në një shoqëri demokratike. Integriteti i zgjedhjeve në demokraci është në duart e qytetarëve të saj, të cilët bëjnë fushatë për kandidatët dhe partitë dhe më pas dalin për të votuar. Ndaj është e rëndësishme që të merrni kartat tuaja të identitetit dhe të dilni e të votoni”, deklaroi ambasadori amerikan.
Monitorimit të ditës së zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit iu bashkua dhe Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë 2009 (KVV), i cili u promovua zyrtarisht të hënën gjatë një takimi në Hotel Tirana Internacional.
Ambasadori amerikan John Withers, duke vlerësuar këtë iniciativë, tha se të gjashtë organizatat e përfaqësuara kanë mbledhur njerëz që do të bashkërendojnë një përpjekje tejet të sofistikuar, siç është vëzhgimi ditën e zgjedhjeve.
...