Vasilika Hysi nuk pranon të mbetet pas Ditzi Bushatit, publikon edhe ajo një raport me kritika për zgjedhjet

Një tjetër OJF-ë, e një tjetër kandidateje për deputet të PS-së, ka publikuar të tjera përfundime raportesh “të pavarura” dje, këtë herë për listat e zgjedhësve, afishimin e tyre, etj., etj.
Shërbimin ndaj PS-së, në emër “të pavarësisë”, dje e ka pasur radhën ta bëjë “Komiteti Shqiptar i Helsinkit”(KSHH), një OJF-ë, e ngritur dhe drejtuar prej vitesh nga Vasilika Hysi, kandidatja për deputetet e PS-ës, që kryeson listën e Qarkut të Tiranës. E pra, të punësuari e Vasilikës, që nuk janë përfshirë drejt për drejtë në fushatën elektorale të shefes së tyre, saktësisht ata që kanë çelësat e KSHH-ës dhe që kanë në përdorim këtë OJF, dje morën guximin dhe kritikuan vonesat e pretenduara në shpalljen e listave përfundimtare të zgjedhësve pranë çdo qendre votimi.
Bazuar në një monitorim që Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka bërë gjatë datave 4 – 6, por që nuk mësohet se kush është porositësi dhe donatori i këtij monitorimi, mësohej se në disa qendra votimi nuk janë shpallur listat e fituesve. Gjithashtu nga ky monitorim pa autorë dhe pa porositës, mësohej se edhe në qendrat e votimi ku janë shpallur listat konstatohet se nuk është respektuar detyrimi që rrjedh nga Kodi Zgjedhor, për publikimin e tyre “në një vend publik me hyrje të lirë”.
Nëpunësit e Vasilika Hysit, nuk kishin përtuar të shkruanin e publikonin në raportin e tyre monitorues se në disa qendra të tjera votimi rezultuan fletë të grisura nga listat e publikuara gjë që dëshmon se ato nuk janë vendosur në mjedise të mbrojtura.
Saktësia apo pasaktësia e të dhënave monitorues të KSHH-ës, vihet në diskutim, pse jo edhe në dyshim, që kur kujtesa të çon të besosh, se kjo OJF-ë “e pavarur” është pronë, as më shumë e as më pak nga një kandidate “e varur” për deputetet e PS-ës, e njohur me Vasilika Hysi. këto diskutime e dyshime bëhen më të forta, kur për analogji, sillen në kujtesë edhe sjellje të tjera të OJF-ëve të tjera “të pavarura” të drejtuara nga “të varur”, kandidatë për deputetë pas logos së PS-ës.
Më herët se Vasilika Hysi, të njëjtën çudi kishte bërë edhe Ditmir (pse jo Ditzi) Bushati, i cili disa ditë më parë spekuloi mbi raportin e Komisionit Evropian për sa i përket përmbushjes së standardeve për liberalizimin e vizave. Pas këtij spekulimi, ka qenë “Lëvizja Evropiane në Shqipëri” (“European Movement in Albania” - EMA), e drejtuar prej Ditmir Bushatit, ajo që nëpërmjet Geldis Gjipalit, të birit të Saemira Pinos, anëtares së kryesisë së PS-ës, paraqiti “Monitorimin e procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik”, këtë herë duke abuzuar edhe me emrin e Ambasadës amerikane në Tiranë dhe financimin e saj, duke publikuar një sërë pretendimesh, që nuk ishin asgjë më shumë se zmadhimi i të gjitha pretendimeve të njëpasnjëshme të PS-ës.
...