E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wladimir Klitschko, meçi i fundit

Nga Express më 24 qershor 2011 në ora 11:21

David Haye ka pranuar se përballja me Wladimir Klitschkon mund të jetë hera e tij e fundit që paraqitet në ring.

Kampioni i botës në kategorinë e rëndë në versionin WBA ende dëshiron të takohet edhe me Vitali Klitschkon, pas ndeshjes së ardhshme me vëllanë e tij të vogël më 2 korrik, por pranon se gjasat janë të vogla.

Klitschko i madh, kampion në versionin WBC, do të takohet me polakun Tomasz Adamek më 10 shtator, një muaj para 13 tetorit që Haye e ka përmendur si datën kur mund të pensionohet nga boksi.

“Ai (Vitali) ka caktuar një meç në Poloni në shtator, andaj nëse ai zhvillohet, nuk do të ketë gjasa të luftoj me të”, tha Haye për Sky Sports News HD.

“Por, ky është boks dhe gjithçka mund të ndodhë. Nëse ndodh para 13 tetorit, atëherë ka mundësi të madhe. Nëse jo, atëherë mund të ndodhë që kurrë nuk do të ndeshem me të”, shtoi ai.

Nëse Haye mposht Wladimirin në Hamburg, ai do të mbajë tre breza të kampionit të botës, të tijin nga WBA dhe versionet WBO dhe IBF, të cilat i takojnë ukrainasit.

Nëse Haye humb, mundësia e revanshit kundër Wladimirit është përjashtuar. “Kjo mund të jetë përballja ime e fundit, andaj do të përkujdesem që të jetë bindshëm më e mira”, përfundoi Haye.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›