E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wolf viziton Kosovën

Sekretari Shtetëror në Ministrinë Federale Gjermane të Mbrojtjes, Rüdiger Wolf, po qëndron në një vizitë dyditore në Kosovë.

Sipas një njoftimi të KFOR-it, Wolf dje ka vizituar KFOR-in dhe ka takuar komandantin e KFOR-it, për t’u informuar nga afër për përmirësimet e situatës së sigurisë dhe të ketë një pasqyrë të përgjithshme të angazhimit të trupave gjermane në Kosovë.

Pas takimit me komandantin e KFOR-it, gjeneral-lejtnant Markus Bentler, Wolf pati disa takime përfaqësuesit e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë, shefin e misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon, shefin e misionit të OSBE-së, ambasdori Werner Almhofer, përfaqësuesi Ndërkombëtar Civil, Peter Feith dhe ambasadorin gjerman këtu, Hans-Dieter Steinbach.

Ai nuk ka takuar asnjë nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

Për ditën e sotme, Wolf ka planifikuar të takojë komandantin e “Battle Group” Jug, gjeneral-brigadierin Manfred Hofmeyer dhe ushtarët e Bundeswehr-it, të vizitojë Prizrenin dhe Manastirin e Shën Arhangjelit.

Aktualisht, Gjermania ka 1500 ushtarë në tërë Kosovën, kryesisht në sektorin jugor.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›