E Diel, 1 Nëntor 2026

“DUO SAPHIR” Një pianiste shqiptare dhe një gjerman në sallën e Akademisë së Arteve

19/10/2011  Koncert perkusion në kuadër të muajt tetor gjerman. Recitali në datën 19 dhe 20 të këtij muaji

TIRANË – Për herë të parë në Shqipëri do të jepet një koncert, në Piano dhe Percussion i përbërë nga artist shqiptar dhe gjerman. Një koncert i tillë jepet në kuadër të një bashkëpunimi të ambasadës gjermane në vendin tonë me Tirana art lab. Duo Saphir, Nertila Seferaj dhe Martin Fuchs në Piano Perkusion. Pianistja Nertila Seferaj pohon se është një duet shumë i veçantë dhe shumë i rrallë në zhanrin e saj.

Recitali

“Duo Saphir” e krijuar në fillim të vitit 2010 pati sukses të menjëhershëm në Gjermani. Recitali i parë u prit me ovacione dhe me oferta të shumta për koncerte në vazhdim jo vetëm në Mainz, (vendi ku u dha koncerti), por edhe në të gjithë Gjermaninë si në Wiesbaden Mynih Passau etj. Në Shqipëri koncerti do të zhvillohet në datat 19 dhe 20.10.2011 pranë Akademisë së Arteve, ndërsa është një koncert i organizuar nga Tirana art lab në bashkëpunim me ambasadën gjermane. Koncerti do të përmbajë muzikë jazz dhe latine të kompozitorëve më të dëgjuar dhe më të njohur të muzikës bashkëkohore si Chick Corea dhe Michel Camilo. Koncerti do të shoqërohet gjatë gjithë kohës nga sekuenca filmi të shkurtra të përpunuar nga Tobias Donat (Visual). Duo Saphir prezantohet për herë të parë në publikun shqiptar me një program shumë të larmishëm dhe shumë ritmik duke përputhur klasiken me modernen, pasi ka pasur disa suksese të veçanta në Francë, Itali e shtete të tjera të Evropës.

Dy artisët e këtij koncerti janë gjermani Martin Fuchs dhe shqiptarja Nertila Seferaj.

Protagonistët

Martin Fuchs u lind në Hutthurm në Passau të Gjermanisë ku mori edhe mësimet e para për Piano dhe Percussion. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Munihut ku i mbaroi me rezultate të shkëlqyera. Fitues i çmimit të parë në Landin e Passaut, në vitin 2002. Fitues i çmimit të parë Kulturkreis Gasteig në Mynih në 2007. Martin Fuchs ka luajtur në orkestrat më të mëdha të Gjermanisë si me Bayerischer Rundfunk, Bayerische Staatsoper, Nuernberger Symphoniker, Staatstheater Wiesbaden Orchester, Staatstheater Mainz, Staatstheater am Gaertnerplatz Mynih etj. Që nga viti 2010 Docent në Johannes Gutenberg Universitet në Mainz.

Nertila Seferaj e lindur në vitin 1986 kreu studimet e para në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për Piano. Në vitin 2003 filloi studimet e larta në Gjermani, Mainz ku i mbaroi me rezultatet më të larta. Direkt me pas vazhdoi edhe Masterin për perfeksionimin artistik me profesorin e mirënjohur Wolfgang Schamschula. Ka dhënë koncerte të shumtë në të gjithë Gjermaninë si Mynih, Mainz, Wiesbaden, Kassel, Frankfurt etj, si dhe me orkestër në Verona, Caprino Veronese, Alessandria, Pescara, Atri Itali etj. Është gjithashtu fituese e çmimeve të para, të dyta e treta në konkurse ndërkombëtare dhe kombëtare. Në vitin 2011 ka luajtur në një nga rolet kryesore të filmit me metrazh të shkurtër “Das lezte Atemzug” ku u shfaq në festivalin e Filmit në Paris. Aktualisht Nertila Seferaj është Docente për Piano në Peter Cornelius Konservatorium Mainz për piano. Vlen të përmendet se të dy artistët, gjerman dhe shqiptar përkatësisht Martin Fuchs dhe Nertila Seferaj do të vijojnë me koncertet në një kishë të madhe të pikturuar nga Chagall Mainz për çmimin e paqes në Hessen, koncerti do të jepet me orkestër RAV EL dhe BAH. Pianistja Seferaj pohon për gazetën se ndihet e emocionuar për arsye se vjen për herë të parë me një koncert të tillë në atdheun e saj, ndonëse ka dhënë disa koncerte në salla më të mëdha dhe më moderne në disa qytete dhe shtete të Evropës. “Kam dy herë emocione vijon sërish prononcimin e saj Nertila dhe për këtë më shumë më kuptojnë të gjithë artistët që punojnë në skenat moderne të botës. Dhe kur vijnë në Shqipëri them se kanë të njëjtën emocion, si dhe unë edhe pse mundet të jenë të vjetër në profesion, kjo do të thotë se atdheu është vërtet i dashur dhe se është kënaqësi të kontribuosh për të, qoftë dhe në mënyrën më modeste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›