E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wollfarth: Koha po mbaron, të përfundojë reforma zgjedhore

Ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth i ka bërë sërish thirrje partive politike në vend të përfundojnë në kohë reformën zgjedhore. Duke folur në tryezën e organizuar nga Forumi Civil, ambasadori Wollfarth theksoi se të gjitha partitë duhet të anagazhohen për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.

“Zgjedhjet e ndershme janë guri i themelit në një vend demokratik. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme bëjnë edhe progreisn e një vendi demokratik. Kuvendi ka dhënë kontibute të mëdha në drejtim të reformës zgjedhore por fatkeqësisht në periudhën e fundit ka pasur një ngadalësim të dukshëm të reformës zgjedhore. Inkurajojmë Kuvendin të gjejë një përfundim për reformën zgjedhore sepse koha po mbaron. Të gjitha partitë të përfshihen për të gjetur dhe zbatuar një zgjidhje të qëndrueshme. Reforma zgjedhore duhet të ketë konsensus politik më të gjerë për të bërë të mundur arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme që ti rezistoj kohës.. Nuk mund të ndodhë që pas çdo zgjedhje të ndryshohen rregullat. Nuk mendoj që kjo është e shëndetshme, rregullat e qëndrueshme do ti shërbejnë më shumë qytetarëve dhe aspiratës së tyre europiane” theksoi Wollfarth.

Gjithashtu kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, ambasadori Eugen Wollfarth i ka bërë thirrje liderëve politikë të arrijnë sa më parë një marrëveshje për çështjet e mbetura pezull për mbylljen e reformës zgjedhore.

“Nxis drejtuesit politikë që të arrijnë marrëveshje për cështjet ende pezull, identifikimi, numërimi, administrimi dhe ankesat në zgjedhje. Edhe përfundimi në kohë është i rëndësishëm për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme, rekomandimet duhen zbatuar plotësisht për të treguar atë vullnet politik që është i dëshirueshëm nga ne”- tha ai, duke iu referuar 31 rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, ndalur vecanërisht në raundin e parë.

“Qytetarët duan zgjedhje të lira e të ndershme në përputhje me standardet. Nxis partitë të ecin përpara e të nxjerrin një produkt të suksesshëm të bazuar në dialog e respekt që më pas ta nderojnë e ta zbatojnë. Thirrje dhe shoqërisë civile të veprojë tani e të ushtrojnë presion mbi partitë politike që nuk lëvizin ndryshe e që është koha tani të lëvizin”- tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›