Dezerton ministri i Jashtëm i Libisë
Ministri i Jashtëm i Libisë, Musa Kusa ndodhet në Britani dhe "nuk është më i gatshëm" të punojë për regjimin e liderit, Muammr Gaddafi.
Zyra e jashtme britanike tha se ai mbërriti në aeroportin e Londrës të mërkurën.
Raportohet se ai ka biseduar disa orë me zyrtarët britanikë.
Dezertimi i tij vjen në kohën kur kryengritësit në Libi po tërhiqen nga bastionet që i mbanin përgjatë brigjeve lindore, pas avancimit të trupave besnike të Gaddafit, teksa fuqitë botërore po e konsiderojnë armatimin e forcave kryengritëse.
Besnikët e Gaddafit, të mbështetur nga tanket dhe artileria, arritën në paralagjet e qytetit Axhdabia, 160 km në lindje të Bengazit, pasi i ripushtuan qytetet Ras Lanuf, Ukajla dhe Brega.
Kundërofensiva e fundit e Gaddafit erdhi një ditë pasi kryengritësit avancuan 100 km në lindje të qytetit Sirte, vendlindjen e udhëheqësit libian.
Në perëndim të vendit, forcat besnike të Gaddafit ende e mbajnë të rrethuar qytetin Misrata.
Ndërkohë, SHBA dhe Britania nuk e përjashtuan mundësinë e armatosjes së kryengritësve.
Në anën tjetër, SHBA-ja ka shfaqur dyshime për emërimin e ish-ministrit të Jashtëm të Nikaraguas si i dërguar i Libisë në Kombet e Bashkuara.