E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaçka: Qeveria godet pensionistët me skemën e ilaçeve

Sipas deputetes, Olta Xhaçka, fytja e ilaçeve në skemën e TVSH do të rëndojë edhe më tej shtresat në nevojë të shoqërisë shqiptare, siç janë pensionistët, të papunët dhe dhjetëra mijëra familje shqiptare.

“Është e turpshme që qeveria të deklarojë se e paska ditur prej katër vjetësh se grosistët e ilaçeve abuzojnë me çmimet e ilaçeve në kurriz të qytetarëve, por nuk ka marrë asnjë masë. Ky pohim e bën Sali Berishën bashkëfajtor në abuzimin me qytetarët, e sidomos me shtresat më në nevojë në Shqipëri, të cilat i kanë paguar ilaçet 25 deri 60 për qind më shtrenjtë se në vendet e BE”, theksoi sot në një konferencë. 

Ajo shtoi se kategoritë që do të preken nga kjo skemë janë pikërisht ato kategori që duhet të mbrohen nga shteti.

“Sali Berisha ka dështuar të ndalojë një abuzim e korrupsion galopant në sistemin e shëndetësisë edhe pse ai ka qenë në dijeni të kësaj situate që në vitin 2007. Jo vetëm kaq, por që pas vjedhjes së zgjedhjeve në qershor 2009 Sali Berisha në mënyrë aktive e ka përkeqësuar situatën në shëndetësi duke ia dhuruar atë si plaçkë lufte LSI dhe ministrit Vasili, korrupsionin dhe aferat e të cilit me kompaninë MEGAPHARMA Partia Socialiste i ka denoncuar dhe do të vazhdojë t’i denoncojë”, vijoi. /Saimir Lleshi/Start/ 

                                                                                             2010-12-19 14:59
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›