E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, evakuimet nuk kanë përfunduar!

Gjatë ditës së sotme, moti është përmirësuar ndjeshëm nga reshjet e shumta që u përfshi gjatë së shtunës. Në qytetin e Shkodrës të gjitha rrugët janë pa prezencë uji. Problem në territorin e kësaj bashkie vazhdon të mbetet lagja e “Livadheve”, që kufizohet me bregun e liqenit të Shkodrës, dhe një pjesë e kësaj lagje është akoma nën prezencën e ujit.

Sipas shtabit të emergjencës përmirësime të ndjeshme evidentohet dhe në territorin e komunave të nën Shkodrës, ku akset rrugore janë të kalueshme nga të gjitha automjetet, me përjashtim të Dajçit dhe Velipojës ku qarkullohet vetëm me mjete të larta.  Strukturat e Shtabit të Emergjencës Civile vazhdojnë operacionet humanitare për shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe materialeve të tjera të nevojshme për banorët e prekur nga përmbytjet e fillim dhjetorit, që vlerësohen nga ekspertët si më të mëdhatë që kanë ndodhur ndonjëherë në Shqipëri.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka deklaruar se qeveria nuk ka bërë thirrje për kthimin e banorëve në zonat e përmbytura, teksa ka shtuar se dy familje janë evakuuar gjatë së shtunës. Megjithatë, mbi 3 mijë persona janë rikthyer në banesa pas tërheqjes së ujit.

“Unë nuk kam bërë asnjë thirrje për rikthim, përkundrazi dje kemi evakuuar dy familje të tjera nga Oboti për në qytetin e Shkodrës. Ritheksoj se vazhdojmë të ndodhemi në një situatë emergjence civile dhe përmirësimi i vazhdueshëm i situatës nuk ofron garanci”, u shpreh Basha. Sipas Bashës, 2759 persona janë të evakuuar tashmë./ S.Lleshi/Start/

                                                                                             2010-12-19 10:13
  [ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›