E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaçka: Berisha e Bode përgjegjësit kryesorë

10/03/2010 Rritja e çmimeve

Partia Socialistë përqendroi dje vëmendjen e saj te rritja e çmimeve, duke adresuar përgjegjësinë pikërisht tek Qeveria “Berisha”. Kështu, deputetja e PS-së, Olta Xhaçka, iu referua shifrave të INSTAT-it mbi një çështje të tillë. “INSTAT-i, ky shërbëtor i bindur i Sali Berishës, u detyrua të pranonte të vërtetën e hidhur të rritjes së skajshme të kostos së jetesës për shqiptarët, duke publikuar faktin se rritja vjetore e çmimeve për muajin shkurt është plot 4.4%, ndërkohë që vetëm në krahasim me muajin janar çmimet janë rritur me 1.1%”, vlerësoi ajo gjatë deklaratës për shtyp. Sipas saj, për më se një vit Partia Socialiste e ka paralajmëruar këtë situatë, duke kërkuar me forcë prej Sali Berishës që të merrte masa sa nuk ishte vonë. “Për më se një vit Sali Berisha dhe Qeveria e tij besuan se do t’ia dilnin me sukses të mbulonin diellin me shoshë, duke keqpërdorur INSTAT-in për të fshehur rrokullimën që po merrte ekonomia shqiptare. Prandaj sot, që kjo flluskë sapuni e krijuar me anë të një propagande të papërgjegjshme për çudirat ekonomike të Saliut e Ridvanit ka plasur, ne e ftojmë Kryeministrin e Ruzhdies që të pranojë publikisht dështimin e tij monumental ekonomik dhe t’u tregojë shqiptarëve se ç’masa është duke marrë Qeveria e tij për të ndihmuar qytetarët e këtij vendi”, deklaroi Xhaçka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›