E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, 17-vjeçari u vra për debate lojërash

10/03/2010 Mes dy të rinjve nisi një debat i ashpër, më pas A. Brahimi u kthye me pistoletë

SHKODER- Strukturat hetimore të Drejtorisë së Policisë së qarkut të Shkodrës kanë arritur të identifikojnë autorin e ngjarjes së një nate më parë ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi 17-vjeçar Eduard Thana, lindur e banues në lagjen “Tom Kola” të qytetit të Shkodrës.

Vrasja

Sipas të dhënave zyrtare të policisë, hetimet kanë nxjerrë se autori i vrasjes së shtetasit Thana rezulton të jetë shtetasi A. Brahimi, vjeç 18, banues në lagjen “Ahmet Haxhija”, Shkodër. Ndërkohë burimet policore shprehen se hetimet e deritanishme kanë nxjerrë se ngjarja ka ndodhur për shkak të një grindjeje të autorit, shtetasit Brahimi me viktimën, shtetasin Thana. Mes dy të rinjve këtyre shtetasve kishte lindur një debat i ashpër në një sallë lojërash, jo shumë larg vendit të ngjarjes, që kishte përfunduar për momentin me përdorim fjalësh fyese. Më pas shtetasi Thana është futur për të pirë kafe në një lokal tek “Dugajt e Reja”. Ndërkohë, shtetasi Brahimi është larguar për t’u rikthyer më pas me një mjet tip Benz, nga ku ka qëlluar për vdekje me pistoletë shtetasin Thana. Nga ana e policisë janë kryer veprimet e duhura procedurale e hetimore. Është bërë shpallja në kërkim e autorit të krimit, shtetasit Brahimi, dhe po punohet për kapjen e tij. Materialet në ngarkim të shtetasit A. Brahimi iu kaluan Prokurorisë së rrethit gjyqësor Shkodër, për veprën penale “vrasje me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ngjarja ku mbeti i vrarë shtetasi Thana ndodhi rreth orës 18:30 të mbrëmjes së të hënës afër vendit të njohur si “Truma e dugajve të reja” pak metra larg ndërtesës së universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe fundit të pedonales së re të “Pjacës” së Shkodrës. Efektivat e policisë së Shkodrës kanë konstatuar në vendngjarje se shtetasi Thana ishte qëlluar me armë zjarri pistoletë. Viktima është dërguar me shpejtësi në spitalin rajonal të Shkodrës, por ndërhyrja e mjekëve ka qenë e kotë, pasi plumbat i kishin marrë jetën. Ndërkohë burimet policore shprehen se është sekuestruar dhe celulari i viktimës Thana, pasi mendohet se një person e ka marrë në telefon pak para daljes së tij nga kafja. Mendohet se me anë të telefonatës i është kërkuar shtetasit Thana të dalë në rrugë, ku dhe e kanë pritur plumbat. Të njëjtat burime shprehen se po bashkëpunohet me kompaninë celulare për të identifikuar personin që i ka bërë thirrjen e fundit dhe se çfarë i ka thënë ai.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›