E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha thyen rekordin e notit në det, përuron rrugë dhe përgënjeshtron opozitën



Për të tretin vit radhazi lideri i maxhorancës ka sfiduar vetveten në detin e Dhërmiut, duke thyer rekordin e vendosur një vit më parë për qëndrimin sa më gjatë në ujë duke notuar. Edhe pse ka pranuar se nuk është një notar shumë i mirë, kryeministrit Sali Berisha duket se i pëlqen ta vërë veten në provë se sa gjatë mund të qëndrojë në ujërat e detit Jon. Kështu, pavarësisht vitit të ngjeshur me zhvillime politike, kryeministri nuk është ndjerë aspak i lodhur dhe ka thyer rekordin e vendosur gjatë vitit të kaluar. Këtë herë, shefi i Ekzekutivit, i cili po pushon në bregdetin e Dhërmiut, ka qëndruar 127 minuta në ujë. Ky është një rekord i ri për kryeministrin Berisha, i cili një vit më parë kishte qëndruar në ujë vetëm 123 minuta, ndërsa në vitin 2008 kishte qëndruar 120 minuta. Gjatë pushimeve të tij, Berisha ka gjetur kohë të inaugurojë segmentin e parë të rrugës që lidh fshatin Pilur me bregdetin. Rruga e re, investim i buxhetit të shtetit prej rreth 45 milionë lekësh, u mundëson banorëve të Pilurit të dalin më lehtë dhe më shpejt në breg. Në përshëndetjen e tij, në ceremoninë e inaugurimit, kryeministri Berisha u shpreh se “Fondi shqiptar i Zhvillimit do të ndërtojë të gjithë trajektoren e rrugës së fshatit tuaj deri në bregdet. Qendra e Pilurit, njëlloj si qendra e fshatrave të tjera të Bregut, Dhërmiut, Vunoit, Jalit e të tjerave, do të rindërtohet dhe do të jetë një nga qendrat më të bukura. Kisha e Shën Kollit do të rindërtohet tërësisht. Ndaj, jam këtu për t’ju dhënë fjalën se do të investojmë në të gjithë infrastrukturën e këtij fshati mahnitës për pamjen, zemrën dhe shpirtin e banorëve të tij”, - ka premtuar Berisha. Megjithëse po bën disa ditë pushime, kreu i qeverisë, ashtu sikurse dhe ai vetë, tha se po i kombinon pushimet edhe me përurime. Gjatë fjalës së tij ai hodhi poshtë akuzat e opozitës për rritjen e borxhit të qeverisë. “Këto ditë jam me pushime, por kënaqësia ime e madhe është se kësaj here pushimet e mia kombinohen çdo ditë me inaugurime rrugësh e investimesh të reja”, - është shprehur Berisha. “Në vitin 2005, i gjithë fondi i pensioneve ishte 50 miliardë lekë, çfarë ishte vendosur në të nga vitet ’50 deri në vitin 2005, por sot, fondi i pensioneve është 109 miliardë lekë, pra është mbidyfishuar. Fondi i ndihmës ekonomie, nga 14 miliardë, sot është 33 miliardë lekë. Paga mesatare e administratës ishte 230 mijë lekë, sot ajo është 46 mijë lekë. Ju i dëgjoni si bërtasin e si përpiqen të mbjellin trillim e mashtrim përditë, si derdhin lot krokodili për borxhin. Jo, ju dhe asnjë shqiptar nuk i keni borxh askujt. Ta mbani ballin lart, sepse ne asnjëherë nuk kemi marrë borxh asnjë qindarkë për rrogat dhe pensionet tuaja”, - është shprehur Berisha.

7 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›