Kongresi i PS, kongresi i diskutimit “gju më gju”

Në pesë panele në ambientet rreth Pallatit të Kongreseve në Tiranë ka nisur punimet Kongresi i Partisë Socialiste. “Është një bashkëbisedim gju më gju. Jemi të gatshëm të dëgjojmë çdo lloj kritike” tha kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla. “Ky shesh të jetë sheshi i debatit më të madh në Shqipëri. Do ju lutesha që mos kini sot asnjë lloj frenimi. Diskutimi duhet të jetë shumë i hapur. Natyrshëm që një pjesë do të sjellin shqetësime” tha zoti Balla.
Ai kujtoi se kongresi do të jetë një bilanc i punës së PS. “Dua të kujtoj ku e nisëm në 2013 marrëdhënien e shtetit me bujqësinë. Kem i filluar këtë panel të bujqësisë, atje matanë është paneli i energjisë dhe mes nesh është edhe një panel i të rinjve. Përballë kemi një panel shumë të rëndësishëm për paketën e rezistencën sociale. Kemi edhe një panel tjetër që është një panel me miq të ftuar nga të gjitha trojet shqiptare. Ky kongres ka celur hapësirën e një komunikim të ri”, tha zoti Taulant Balla.