Xhaçka: Meta po sulmon paturpësisht prokurorinë

Partia Socialiste ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të LSI-së Ilir Meta i cili e cilësoi kryeprokuroren Ina Rama si pjesë të klanit të Edi Ramës.
Në një konferencë për shtyp deputetja e PS-së Olta Xhaçka theksoi se deklaratat e Metës tregojnë sikletin e tij për videon e transmetuar mbi aferat e tij korruptive.
“Vetëm një njeri i kapur me shpatulla pas murit me zë e me figurë teksa vjedh mund të veprojë si Ilir Meta. Nga një anë të ftojë prokurorinë të hetojë e nga ana tjetër ta sulmojë atë paturpësisht. Nga njëra anë thotë se do i vihet në dispozicion drejtësisë, nga ana tjetër hedh çdo ditë vrer mbi Prokuroren e Përgjithshme”, theksoi Xhaçka.
Ajo gjithashtu theksoi se një njeri i pafajshëm do ta linte drejtësinë të bënte punën e saj, teksa ka shtuar se Ilir Meta sot e gjithë ditën sulmon prokurorinë e opozitën.
“Kot përpëlitet Ilir Meta! E ka të humbur gjyqin e opinionit publik. Ai është sot jo vetëm shëmbëlltyra e korrupsionit dhe vjedhjes me bllok në dorë. Mbi Ilir Metën rëndojnë sot po aq sa mbi Sali Berishën edhe jetët e humbura të 21 janarit. Ishte videoja e tij që shkaktoi atë zemërim popullor që shpërtheu në 21 janar. Dhe ishin urdhrat e shefit të tij që plagosen shqiptarë të pafajshëm e morën jetë shqiptarësh të pafajshëm për llogari të vjedhjeve të Ilir Metës e Koalicionit të Turpit ku ai bën pjesë”, shtoi më tej Xhaçka.