Meta: Ina Rama në shërbim të klaneve

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka akuzuar kryeprokuroren Ina Rama se është në shërbim të klaneve të Edi Ramës.
Në një takim me elektoratin në Korçë, kreu i LSI-së Meta duke i mëshuar sërish faktit që video-përgjimi është një montim theksoi se kryeprokurorja nuk mund të jetë lojtare politike pasi ajo përfaqëson organin e akuzës.
“Kryeprokurorja nuk mund të jetë lojtare politike pasi ajo përfaqëson organin e akuzës dhe ka për detyrë që çdo akuzë ta bëj mbi prova dhe fakte dhe jo mbi intigra të thurura dhe të bëra në ambjente që nuk kanë lidhje me shtetin” theksoi Meta.
Ai gjithashtu theksoi se kryeprokurorja Ina Rama nuk ka vullnet për t`i dhënë përgjigje pyetjes se nëse video e dhënë është e vërtetë pasi nuk e lë kreu i opozitës Edi Rama.
“Nuk mundet kurrsesi të vihet në diskutimin rendi kushtetues, funskionimi i institucioneve, respektimi ndaj ligjit përmes lojrave të tilla kaq të shëmtuara” shtoi më tej Meta.
Ai gjithashtu duke i cilësuar akuzat e ngrituara nga prokuroria si politike theksoi se një deklaratë e tillë nga organi i akuzës është e papërgjegjshme.
“Një deklaratë e tillë është e papërgjegjshme, nëse ajo vendos këtë standart ajo duhet të japë dorëheqjen” theksoi më tej Meta.
Ndërkohë Meta duke shprehur rezerva për punën e bërë nga kryeprokurorja Ina Rama për të zbardhur hetimet theksoi se ai është i gatshëm të bashkëpunojë me prokurorinë pasi këtë institucion nuk e përfaqëson vetëm ajo.
“Kjo është jo thjesht një betejë e imja por një akuzë politike që është formualuar prej Edi Ramës për të nxitur dhunën dhe gjakëderdhjen në vend. Edhe pse kam rezervat e mia për kryeprokuroren, është detyra e çdo politikani që të bashkëpunojë me prokurorinë” theksoi më tej Meta.