E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen investimet në qytet, këshilli bashkiak rrezikon shpërndarjen

Fier/ Këshilltarët e djathtë me shumicë votash kanë rrëzuar buxhetin 2010. Zeqo: Vendimi do të shkojë në gjykatë



FIER - Këshilli bashkiak i Fierit rrezikon shkrirjen dhe tashmë kjo gjë ka mbetur në dorë të kryebashkiakut, i cili duhet t'i bëjë propozimin kryeministrit e të presë vendimin e tij. Një gjë e tillë parashikohet nga ligji në rastet e mosmiratimit të buxhetit të bashkisë në tre mbledhje.


Edhe dje, në mbledhjen e tretë të këshillit bashkiak, buxheti i vitit 2010 nuk është miratuar për shkak të konflikteve mes të majtëve dhe të djathtëve. Me të drejtën që i njeh ligji, kryebashkiaku i Fierit Baftjar Zeqo deklaroi se ai mund t'i bëjë një kërkesë Kryeministrit, megjithatë nuk do të ndërmarrë një hap të tillë por do t'i drejtohet gjykatës.


"Vendimi i marrë sot në mbledhjen e këshillit bashkiak përbën një shkelje ligjore dhe si rrjedhojë dokumentet përkatëse do të përcillen për të kaluar në një proces gjyqësor", është shprehur Zeqo pas mbledhjes, ku edhe një herë të djathtët paraqitën pretendimet e tyre për rikonstrukturimin e administratës së bashkisë, duke shkurtuar 60 punonjës të saj, si dhe duke kërkuar privatizimin e ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit.


Kryetari i Bashkisë së Fierit, kishte kërkuar që projektbuxheti për vitin 2010 të kalonte pa ndryshime, por një gjë e tillë nuk është miratuar nga të djathtët. Mbledhja e Këshillit Bashkiak zgjati rreth tre orë ku të dyja palët kanë mbrojtur tezat e tyre.


Të djathët kishin miratuar që në mars një vendim me kërkesat e tyre dhe prisnin që buxheti të miratohej duke e përfshirë edhe atë. Por ky vendim është quajtur si antiligjor dhe politik nga vetë të majtët, duke e hedhur poshtë. Mes palëve nuk ka pasur asnjë lloj kompromisi.

Ndërkohë, nga këshilltarët e djathtë është prenteduar edhe rritja e zërit të shpenzimeve, ndërkohë që kryebashkiaku është shprehur se ato janë ulur gjatë vitit 2009 me 20%. Lidhur me uljen e investimeve Zeqo është shprehur se krahasuar me vitin 2006 investimet e bashkisë së Fierit janë 6-fishuar.


"Jo vetëm shpenzimet janë në rënie dhe investimet në rritje, por edhe mjaft tregues të tjerë e kanë bërë bashkinë e Fierit të marrë vlerësimet e donatorëve dhe të qeverisë aktuale shqiptare. Sa për kalimin me sipërmarrje të ndërmarrjeve të pastrim-gjelbërimit duhet që të rikujtoj se një platformë e tillë është zbatuar më parë në Bashkinë e Fierit dhe ka rezultuar e dështuar. Bashkia ka humbur 2,4 miliardë lekë dhe firma sipërmarrëse do të përballet me ndjekje penale", tha Zeqo.


Pas mosmiratimit të buxhetit, kryetari i bashkisë u kujtoi këshilltarëve se një gjë e tillë ishte një turp përpara donatorëve, si Banka Botërore e qeveria holandeze dhe se ky mosmiratim çonte në humbjen e rreth 4,4 milionë eurove investim.


Gjithashtu ai u shpreh se zgjatja mbi tre muaj e këtij konflikti çonte automatikisht në shpërndarjen e këshillit. Një gjë e tillë ngjalli debate të ashpra të këshilltarëve të djathtë, të cilët e kundërshtuan atë. "Ky nuk është mendimi im, - iu drejtua Zeqo këshilltarëve. - Merreni ligjin dhe lexojeni".


Për gazetën "Shekulli", kryebashkiaku i Fierit deklaroi se për marrjen e një vendimi të mëtejshëm do të priste mendimin e konsulentëve ligjorë, por ndërkohë për vendimin e djeshëm do t'i drejtohej togave të zeza.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›