E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtarët, Kuvendi i kthen tre dekrete Topit miraton vetëm Hoxhën

SHKRUAN: Nevila Perndoj 24-06-2011 10:50

TIRANË- Për herë të parë në historinë parlamentare, tre dekrete të Presidentit të Republikës nuk hidhen për votim në seancë plenare. Për mazhorancën, hedhja për votim e tre dekreteve (të rrëzuara paraprakisht nga Komisioni i Ligjeve) do të nënkuptonte dhunim të vendimit të pak kohëve më parë të Gjykatës Kushtetuese, kushdo që të ishte vullneti i Kuvendit i shprehur me votë. Bëhet fjalë për zbatimin e vendimit të Kushtetueses, lidhur me ripërtëritjen e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese çdo tre vjet, në një të tretën e anëtarësisë së saj. Relatori i një vendimi të servirur dje, para deputetëve të mazhorancës, (në emër të Komisionit të Ligjeve), Ilir Rusmali, ka argumentuar se ky vendim i gjykatës dhe parimi i rotacionit që merret në mbrojtje prej tij, imponojnë ndërprerjen e menjëhershme të procedurave për tre kandidaturat e fundit, konkretisht të Ardian Lekës, Edlira Jorgaqit dhe Artan Hoxhës. Këto procedura, sipas relatorit Rusmali, mund të kryhen vetëm pasi të plotësohet afati tre vjeçar nga rotacioni i këtij viti. Për këto arsye, me qëllim që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe parimi i bashkëpunimit institucional që imponon Gjykata, Komisioni i Ligjeve propozoi dje që dekretet t’i kthehen mbrapsht Presidentit të Republikës, një kërkesë kjo që u mbështet me 73 vota pro, asnjë votë kundër apo abstenuese. Juridikisht, kandidatët në fjalë edhe pse i janë kthyer Presidentit të Republikës, kanë të drejtë që të futen në lojë sërish kur të plotësohen afatet, por moralisht një gjë e tillë për të tre emrat nuk mund të ndodhë. Në vendimin përfundimtar të Komisionit të Ligjeve të miratuar dje nga Kuvendi, relatori Rusmali sjell ndër radhë edhe një paragraf të Gjykatës Kushtetuese ku thuhet se: “Gjatë shqyrtimit të kompetencave kushtetuese për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë janë interpretuesit e parë të normës kushtetuese, prandaj, bazuar në parimin e luajalitetit kushtetues, duhet të bashkëpunojnë për përcaktimin e kritereve ligjore, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë, për të siguruar një përbërje cilësore të kësaj gjykate”. Pra më pak fjalë, Kuvendi ka kompetencë të shqyrtojë jo vetëm përmbushjen e kritereve formale, por të shqyrtojë edhe meritën e emërimit të tyre. Konkretisht për tre dekretet që nuk u futen dje në votim, Komisioni i Ligjeve ka dhënë paraprakisht mendimin e saj gjatë shqyrtimit të raporteve për secilin prej tyre. Në këto raporte, Komisioni i Ligjeve vendosi mosdhënien e pëlqimit për kandidaturat e Ardian Leka, Artan Hoxha dhe Edlira Jorgaqi.

Fatmir Hoxha

Ndryshe nga tre dekretet e mësipërme, dekreti për Fatmir Hoxhën si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese ka ndjekur një tjetër procedurë dje në Kuvend. Fatmir Hoxha është miratuar paraprakisht nga Komisioni i Ligjeve dhe po me vota unanime u miratua dje edhe në Kuvend. Rasti i Fatmir Hoxhës në fakt është i ndryshëm nga tre dekretet e tjera. Komisioni i Ligjeve, (përmes vendimit të miratuar dje) sjell në vëmendje se çështja e rotacionit nuk shtrohet për katër anëtarë, por për tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Andaj, për kandidaturën e katërt, Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, propozoi që Kuvendi duhet të vijonte procedurën në lidhje me kandidaturën, që komisioni e ka gjetur në përputhje me kriteret që Parlamenti ka për vlefshmërinë e kandidaturave për gjyqtarë kushtetues. Pra kandidatura e Fatmir Hoxhës, sipas Komisionit të Ligjeve, duhet t’i nënshtrohej votimit për dhënie pëlqimi në seancë plenare. Fatmir Hoxha vjen nga sistemi gjyqësor dhe punon prej 19 vitesh si gjyqtar. Ai nuk ka qenë më parë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Në dosjen e tij personale thuhet gjithashtu se ai nuk mbush moshën për pension gjatë mandatit 9- vjeçar. Fatmir Hoxha zëvendëson në Gjykatën Kushtetuese gjyqtarin Sokol Sadushi, mandati 9-vjeçar i të cilit ka përfunduar kohë më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›