Xhafaj: Procesi i konsultimit për anëtarët e gjykatave, të jetë real dhe transparent Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj

Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, vlerësoi sot si të dobishme iniciativën e Presidentit të Republikës, për konsultime me personalitete dhe ekspertë të pavarur të jurisprudencës, dhe kriteret e nevojshme që duhet të përmbushen nga kandidatët. Në një komunikim për mediat, ai tha se “PS e konsideron shumë të rëndësishme që ky proces konsultimi të jetë real, transparent dhe efektiv”. “Partia Socialiste angazhohet solemnisht se do të mbështesë fort politikisht çdo hap pozitiv që i shërben ndërtimit të një procesi konstruktiv për përzgjedhjen e kandidaturave, duke konsideruar pozitivisht edhe propozimin e partnerëve ndërkombëtarë për mundësinë e votimit të dekreteve presidencialë nga Kuvendi me një shumicë të cilësuar”, deklaroi Xhafaj. Ai tha se “procesi për përzgjedhjen, dekretimin dhe emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, mbi kriteret e duhura, është kusht thelbësor për reformimin e sistemit të drejtësisë, garantimin e respektimit të Kushtetutës dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës”. Sipas tij, çdo shmangie prej standardeve kushtetuese dhe morale në procesin e përzgjedhjes, dekretimit dhe emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, jo vetëm do të komplikonte të nesërmen e këtyre dy institucioneve, por do të kishte një ndikim të padëshiruar në të gjithë sistemin e drejtësisë në vend si dhe do të kompromentonte rëndë reformën e mundimshme dhe jo gjithmonë të suksesshme në sistemin e drejtësisë.