Përmet, Dade: Kësaj radhe, PS dhe populli opozitar do t’i thonë ndal Kryeministrit Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade

Në vijim të protestave të Partisë Socialiste, deputetët Arta Dade dhe Et’hem Ruka, zhvilluan protestën e radhës në Përmet. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, deputetja socialiste, Arta Dade, deklaroi se Kryeministri nuk mund ta shkatërrojë më Shqipërinë dhe nuk duhet të vazhdojë të gënjejë, por duhet të bëjë transparencën e zgjedhjeve. “Ai s’ mund të vazhdojë t’iu hedhë më hi syve. Nëqoftëse ai realisht vazhdon të mbahet se i ka fituar zgjedhjet nuk ka ku të shkojë, ai do të bëjë se s'bën transparencën e zgjedhjeve. Dhe në datën 30 pill në Tiranë shqiptarët do t’i japin atij mësimin e radhës”, u shpreh Dade. Sipas saj, “Sali Berishës kësaj radhe Partia Socialiste, populli opozitar, madje edhe ata që kanë votuar për të, të gënjyer tashmë, do t’i thonë ndal dhe do ta çojnë në shtëpi” . Ajo tha se ne shqiptarët nuk jemi më pak të emancipuar se evropianët. “Ne nuk jemi më pak të qytetëruar sesa grekërit fqinjët tanë, as sesa italianët fqinjët tanë, as sesa malazezët, madje as edhe sesa serbët. Ju e dini që ata janë shumë më përpara sesa ne, ata lëvizin lirshëm në Evropë. Kush e ka fajin që ne mbetëm të fundit në liberalizmin e vizave? E ka fajin Sali Berisha”, akuzoi Dade.