Taçi ‘ndez’ Milanin
(E plotësuar) Fansat shqiptarë të kampionit italian, Milan, do të kenë edhe një arsye më shumë që ta përkrahin këtë skuadër, pasi që nga e premtja sponsor i Rossonerëve është bërë kompania shqiptare e derivateve të naftës ‘Taçi Oil’.
Marrëveshja mes pronarit të kësaj kompanie, Rrezart Taçi dhe nënkryetarit të Milanit, Adriani Galliani, është nënshkruar të premten në qendrën administrative të klubit italian Turati, ku janë të vendosura edhe të gjithë trofetë e fituar nga klubi milanez.
Marrëveshja mesë biznesmenit shqiptar dhe klubit italian do të zgjasë deri në përfundim të sezonit 2011/2012. Asnjëra palë nuk ka bërë të ditur vlerën e marrëveshjes, derisa është thënë se kompania ‘Taçi Oil’ është sponsori i tretë i Milanit për nga rëndësia, pas Fly Emirates dhe Adidasit.
”Pas Fly Emirates e Adidasit, ‘Taçi Oil’ do të jetë sponsori ynë kryesor. Arritja e kësaj marrëveshjeje është finalizim i një raporti të thjeshtë dhe natyral, por të rëndësishëm në mes të Milanit dhe ‘Taçi Oil’”, ka thënë Galliani pas nënshkrimit të marrëveshjes.
“Kjo marrëveshje vjen në një moment të rëndësishëm, kur klubi është kampion në fuqi. Të jesh pjesë e kësaj sipërmarrjeje është mundësi e mirë komerciale për çdo kompani e biznesmen. Kjo marrëveshje nxjerr në pah raportin e shkëlqyer mes këtyre dy shoqërive dhe udhëheqëseve të tyre”, shtoi Galliani i cili pohoi se ‘Taçi Oil’ është partner strategjik për Milanin.
Në anën tjetër, pronari i kompanisë ‘Taçi Oil’, Rrezart Taçi, i cili është edhe biznesmeni i parë shqiptar që sponsorizon një klub me famë botërore, është shprehur i lumtur që do të ketë mundësinë të financojë skuadrën e Milanit, të cilin e ka edhe klub të zemrës.
“Falënderoj drejtuesit e Milanit dhe veçanërisht zëvendëspresidentin Galliani për bashkëpunimin. Investimi te Milani nuk është vetëm biznes, por edhe çështje zemre. Unë dhe familja ime e duam shumë Italinë dhe prandaj vendosëm të investojmë në klubin më të madh të këtij vendi”, ka thënë Taçi.
Bashkëpunimi mes klubit të Milanit dhe kompanisë ‘Taçi Oil’ ka filluar qysh në vitin 2008. Nga kjo kohë kompania shqiptare për çdo vit organizon kampin për talentet shqiptarë në Tiranë, ‘Milan Camp Junior’.
Përveç kësaj, kompania e derivateve të naftës ‘Taçi Oil’ dy herë radhazi pat sjellë kampionin aktual të Italisë në Shqipëri, ku janë përballur me klubin e Tiranës dhe Kombëtaren B të Shqipërisë.
Ejupi takon Gallianin
Me rastin e prezantimit të kompanisë ‘Taçi Oil’ si sponsor i ri i Milanit, kryetari i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, e ka shfrytëzuar rastin për ta zhvilluar një takim me zëvendëspresidentin e kampionit aktual italian, Adriano Galliani. Ejupi e ka njoftuar Gallianin rreth gjendjes aktuale në të cilën gjendet futbolli kosovar. “Gallianin e informova për futbollin kosovar, në veçanti për Prishtinën dhe me punën që po bëhet në këtë klub. Gjatë bisedës i kam kërkuar Gallianit bashkëpunim dhe mbështetje për klubin tonë”, ka thënë Ejupi i cili ka treguar se i ka bërë ftesë Gallianit për një vizitë pune në Prishtinë.
Milan Junior Camp edhe në Kosovë
Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, pronari i kompanisë ‘Taçi Oil’, Rezart Taçi, ka bërë të ditur se nga viti i ardhshëm edhe në Kosovë do të organizohet kampin për talentet kosovarë që synojnë të bëhen pjesë e Milanit, ‘Milan junior Camp’. “Do të ndihmojmë dhe të kontribuojmë që nga viti i ardhshëm ‘Milan Junior Camp’ të mbahet edhe në Kosovë”, ka theksuar Rrezart Taçi.
‘Taçi Oil’ sponsor i Milanit
Kompania më e madhe e naftës në Shqipëri, ‘Taçi Oil’ të paktën për një edicion do të jetë njëri prej sponsorëve kryesor të gjigantit italian në futboll, Milanit.
Marrëveshja e bashkëpunimit është nënshkruar sot në Milano mes zëvendëspresidentit të Milanit, Adriano Gallianit dhe drejtorit të përgjithshëm të ‘Taçi Oil’, Rezart Taçit. Lajmi tashmë është konfirmuar edhe në uebfaqen zyrtare të kampionit të shtatëfishtë të Evropës.
Sipas marrëveshjes, ‘Taçi Oil’ do të jetë njëri prej sponsorëve më të rëndësishëm të Milanit në edicionin 2010/2011. Ndërkohë, Galliani dhe Taçi janë shprehur të jenë të gëzuar me arritjen e kësaj marrëveshje mes tyre.
Siç dihet Rezart Taçi ka marrëdhënie të mira me krerët e klubit italianë dhe këtë e konfirmon fakti se Rossonerët dy herë patën zbarkuar në Tiranë për të marrë pjesë në trofeun ‘Taçi Oil’.
Futbolli italian pëlqehet shumë nga Rezart Taçi, i cili para pak kohësh në çastet e fundit pati dështuar të bëhej sponsori kryesor i Bolognas.