Xhaferri: Rama të lirojë Kalanë e Tiranës
Ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri, ka inspektuar punimet restauruese të Kullës së Sahatit në Tiranë. Në një konferencë për shtyp, dje ministri i është drejtuar kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duke e cilësuar atë si apatik dhe aspak të vëmendshëm ndaj objekteve të trashëgimisë kulturore. “Rama të shkundet nga apatia e të mos pengojë punën për restaurimet e objekteve të trashëgimisë kulturore”, - është shprehur ministri i TKRS-së, Ferdinand Xhaferri. Duke pastruar me furçë në mënyrë simbolike një prej gurëve të vjetër të kullës, ministri theksoi se “është koha që të shkundim nga pluhuri apatik edhe Bashkinë e Tiranës që e ka këtë objekt nën administrim, gjithashtu i bëj thirrje Policisë Bashkiake që të lirojë kalanë e qytetit ku është strehuar pa të drejtë, duke na lejuar që ta kthejmë atë në atraksion turistik siç është dhe prioriteti i qeverisë”. Gjatë mbikëqyrjes së punimeve, zoti Xhaferri theksoi faktit se një nga prioritetet e institucionit që ai përfaqëson është mbrojtja, rivitalizimi i monumenteve të kulturës si dhe funksionimi i tyre si atraksion turistik, si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore. Këto punime janë përqendruar edhe në restaurimin e Dyqanit të Orëndreqësit (pjesë e kompleksit të sahatit), i cili pas përfundimit të punimeve, mund të kthehet në një muze didaktik për historinë e orëve monumentale në Shqipëri. Ndërkohë vazhdojnë punimet në Kullën e Sahatit, të cilat kryhen me një pjesë nga fondi i MTKRS-së dhe me kontributin prej 30.018 USD të Ambasadës Amerikane, nëpërmjet Fondit të Ambasadorit. Një tjetër donacion prej 10.000 USD, është ofruar nga qytetari Fuad Haxhi Ymeri. Këto fonde bënë të mundur që Kulla e Sahatit të mbulohet me fletë bakri dhe të lyhet nga jashtë. Ky projekt është sipërmarrje e MTKRS-së, si një investim prej 3.605.856 lekësh dhe po kryhet nga firma T-PLAN sh.p.k.
S.F