Dritan Minxholli: E pranoj, punësova edhe fëmijë në fabrikë
Për herë të parë pas 2 vitesh i arrestuar, Dritan Minxholli ka folur dje në gjykatë për tragjedinë e Gërdecit dhe punën në fabrikën e demontimit të fishekëve dhe predhave. Ata kanë hedhur poshtë përmes dëshmive të tyre se flaka mund të ketë ardhur si pasojë e një saldimi që po bëhej në ato momente në vendin ku nisi zjarri. Sipas tyre, punonin me karroca dorë dhe kur prisheshin ato, nuk saldoheshin në fabrikë, por në një pikë në Shkozet. Pastaj ata kanë pranuar në dëshmitë e tyre se nuk kishin firmosur ndonjë kontratë pune dhe nuk ishin siguruar, ndërkohë që pranuan faktin se ishin trajnuar dhe për sigurinë teknike në punë dhe çdo ditë pesë minuta para fillimit të punës, drejtori Minxholli u bënte instruktosh se si të zbatonin rregullat e sigurisë në punë. Procesi i djeshëm ka zgjatur përtej orës zyrtare të punës, për afro 7-8 orë, ku njëri pas tjetrit kanë treguar me detaje gjithçka dinin dhe panë me sytë e tyre ditën e shpërthimit të municioneve në Gërdec.
Minxholli: Punësova edhe fëmijë në fabrikë
“Mbaj përgjegjësi për çfarë ndodhi në fabrikë. I kontraktuar nga Mihal Delijorgji dhe Patrick Henry kam pranuar detyrën si drejtor në fabrikën e Gërdecit. Unë i kam punësuar të gjithë, pavarësisht moshës dhe gjinisë. Kërkoj ndjesë dhe mbaj përgjegjësitë e mia. Por, dua të theksoj se nuk më është ankuar kush, as punëtor apo specialist, se kishte probleme në punë. Unë vetë isha i punësuar në një kompani private dhe rrallë ndonjëherë, përveç MEICO-s, asnjë institucion shtetëror nuk ka ardhur të inspektojë fabrikën që unë drejtoja”, - ka deklaruar Minxholli, i cili merrte pjesë për herë të parë në këtë proces gjyqësor, dhe të cilin e kishte bojkotuar qysh prej masës së sigurisë, duke ia lënë mbrojtësit të tij përfaqësimin ligjor. Ai ka kërkuar nga trupa gjyqësore të dënohej vetëm për pjesën ku ka gabuar dhe të mos fajësohej për gjëra për të cilat nuk ka faj. Por, në seancën e djeshme ai është përballur me dëshmitë e 10 personave të thirrur nga akuza, duke u kërkuar fillimisht ndjesë dhe më pas duke kontaktuar drejtpërdrejt me ta përmes pyetjeve. Në ndërhyrjet e tij pas dëshmive të të gjithë personave të thirrur si dëshmitarë, kryesisht familjarë të viktimave apo dhe punonjës të fabrikës, të dëmtuar nga tragjedia, pyetja e vetme që u ka drejtuar ka qenë nëse kanë marrë instruksione për sigurinë teknike para se të fillonin punën për demontim, nëse kishin firmosur ndonjë shkresë ku flitej për sigurinë teknike dhe kush ishin personat që i kishin sugjeruar të fillonin punën në këtë fabrikë.
Durda: Kam humbur tri persona në tragjedi
E para që dëshmoi rreth tragjedisë së Gërdecit, nuk ka qenë një punonjëse e fabrikës, por nëna e një prej viktimave, Erison Durdës. Zamira Durda, për gati një orë ka dëshmuar me detaje çfarë dinte për fabrikën e demontimit, kush e kishte vënë në dijeni, ditën e ngjarjes dhe si mori dijeni mbi plagosjen e të birit, Erisonit, i cili ndërroi jetë në spitalin e Brindizit për shkak të djegieve në më shumë se gjysmën e trupit. Mes lotëve, Zamira ka filluar dëshminë e saj, duke rrëfyer fillimisht mbi personat e familjes që punonin në fabrikë. “Në mars të vitit 2007 ka filluar puna në fabrikën e Gërdecit. Aty janë punësuar babai im, dy vëllezërit dhe gratë e tyre. Më pas, për një kohë të shkurtër ka punuar edhe djali im, i cili ishte 14 vjeç. Nga babai di që kushtet në të cilat punonin ishin çnjerëzore, por për shkak të gjendjes ekonomike, ishin të detyruar të punonin”, - ka rrëfyer e ngashëryer nga lotët Zamira. Më tej në dëshminë e saj ajo mbërriti te dita e tragjedisë, ku do të humbiste djalin e saj, babanë dhe njërën nga kunatat. “Ditën e ngjarjes, kur ndodhi shpërthimi i parë mendova se ishin fishekzjarrë. Vetëm kur ka ndodhur shpërthimi i dytë kam mësuar çfarë ka ndodhur. Dola të kërkoja tim bir, Erisonin dhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Djalin nuk po e gjeja dhe në një moment pasi kisha pyetur, më vjen një telefonatë ku mësoj se djali ishte i plagosur në spital. Kur shkoj e terrorizuar në spital, doktori më thotë: Duhet të bëhesh e fortë. Djali ka 65% të trupit të djegur. Shkova me vrap te djali për të parë si ishte. Aty nuk harroj fjalët e tim biri, kur më thoshte: Mami më fal që shkova andej pa lejen tënde”, - vijoi mes lotëve rrëfimi rrëqethës i Zamira Durdës, të cilës i ka humbur jetën nga shpërthimi i 15 marsit 2008 djali 6-vjeçar, Erisoni. Më pas vijoi dëshmia mbi momentin e dërgimit të djalit në spital, kush ishte personi që e kishte ndihmuar Erisonin, ku dëshmitarja ka deklaruar se “djalin tim e kishte gjetur rrugës të plagosur Elona, një kushërira ime, të cilës i kishte thënë: Elona më ndihmo, jam Eri”. Më pas, po në të njëjtën linjë ka qëndruar me dëshminë e tij edhe i shoqi i Zamirës, Ferizani, i cili ka dëshmuar se si mori dijeni rreth plagosjes së të birit, Erisonit. Edhe ky dëshmitar ka dhënë detaje rreth dijenisë që kishte mbi fabrikën, punën që bëhej aty, ditën e shpërthimit dhe momentin kur mori vesh për plagosjen e të birit, vdekjen e vjehrrit dhe kunatës së gruas. Një tjetër dëshmitare ka qenë edhe Mimoza Kruja, të cilës nga shpërthimi i kishte vdekur i shoqi. Me detaje edhe ajo rrëfeu gjithçka dinte rreth punës në fabrikë nga i shoqi, momenti i shpërthimit dhe si mori dijeni për gjendjen e të shoqit.
Ndue Nikolla: Një amerikan na filmonte kur punonim
Një prej dëshmitarëve okularë të tragjedisë së Gërdecit, i mbijetuar, Ndue Nikolla, dëshmoi në mënyrë të detajuar mbi ditën e tragjedisë, por edhe para se të ndodhte, konkretisht si kryhej procesi i demontimit, kush e punësoi apo sugjeroi për t’u punësuar, çfarë profesioni kishte pasur më parë. “Sugjerimin për të takuar Mihal Delijorgjin dhe për të filluar punë në fabrikë e kam marrë nga Sokol Ngjeçi, të cilin e njihja. Së bashku me disa ish-ushtarakë të tjerë, ne takuam Sokolin dhe në një kafe u ulëm me Delijorgjin, të cilit i kërkuam punë. Ai na pranoi dhe na drejtoi për te drejtori Dritan Minxholli. Fillova punë si specialist në kontrollin e grupeve të punës dhe sigurisë në punë. Gjatë kohës që kam filluar punë, vetë drejtori apo dhe persona të tjerë na kanë trajnuar mbi kushtet e sigurisë, madje na përsëriteshin sa herë fillonim punë në mëngjes. Për të respektuar kushtet e sigurisë në punë, ne kemi nënshkruar edhe një letër, për respektim të kushteve të punës. Ndërkohë që në fabrikë kishte edhe bombola dhe kova uji në rast të marrjes zjarr të barutit”, - rrëfeu me detaje momentet e hyrjes në punë dhe masat e sigurisë në fabrikë, dëshmitari Ndue Nikolla. Më tej, në dëshminë e tij ai deklaroi se gjithmonë në fabrikë ishte një specialist amerikan, i cili filmonte me kamera punën që bëhej në fabrikë. “Ka qenë vazhdimisht një amerikan, i cili interesohej për punën dhe filmonte me kamera”, - ka deklaruar ai. Në vijimësinë e dëshmisë së tij, Nikolla sqaroi me detaje procesin e demontimit, grupet e punës si ishin organizuar dhe kaloi në ditën e tragjedisë së 15 marsit. Për momentin e rënies së zjarrit, dëshmitari u shpreh se “isha rreth 50-60 m larg kur ka dëgjuar: Zjarr, ra zjarr. Ktheva kokën dhe pashë që baruti kishte marrë flakë. Nisa të vrapoja, ndërkohë që më kishte shtyrë presioni i flakës dhe rrobat ishin përfshirë nga flakët. Rrugës për nga autostrada hoqa rrobat e marra flakë dhe një makinë më ka transportuar për në Spitalin Ushtarak, pastaj në spitalin “Nënë Tereza” dhe më pas në Brindizi në Itali ku kam marrë mjekime mbi djegiet në trup. Nuk mund të jap shpjegime nga se ka ardhur flaka, sepse nuk kam dijeni”. Të gjithë punëtorët e pyetur nga prokurorët e çështjes kanë hedhur poshtë nisjen e zjarrit për shkak të një saldimi që po kryhej në një karrocë. Edhe dëshmitari Nikolla është shprehur se “saldimi i karrocave të dorës kur kishin probleme kryhej në Shkozet”.
Qemal Mema: Isha 6 m larg kur ra zjarri, më thanë të largohesha
Një tjetër i mbijetuar është përballur dje me togat e zeza dhe disa prej të pandehurve të pranishëm në sallë. Qemal Mema, fillimisht demontues fishekësh dhe i kthyer në punë vetëm një javë para shpërthimit, tregoi momentet e punësimit në fabrikë, si u aksidentua pasi i ra një predhë në këmbë dhe theu gishtin, rikthimi në fabrikë, kushtet në të cilat punonin dhe momenti i shpërthimit të tragjedisë. “Fillimisht kam punuar për tri ditë në një zonë ushtarake në aviacion në Rinas dhe më pas direkt në fabrikën e Gërdecit. Më ka punësuar Dritan Minxholli. Kam punuar te fishekët, në demontimin e tyre dhe më pas te predhat. Pas një aksidenti që kam pësuar te predhat, jam kthyer sërish një javë para shpërthimit”, - deklaroi dëshmitari Mema, duke theksuar se kishte firmosur një dokument për kushtet e sigurisë teknike në punë dhe ishin trajnuar për këtë gjë. Por, ashtu si dhe dëshmitarët e tjerë, edhe ai ka vënë theksin në faktin që në momentin e shpërthimit nuk ka pasur saldime në fabrikë. “Mbaj mend që kam qenë vetëm 6 m larg vendit ku ra zjarri. Hodha sytë dhe pashë që baruti mori flakë. Nisëm të vraponim, pasi bëhej fjalë për mbijetesë. Dua të theksoj se në atë moment në fabrikë nuk bëheshin saldime, pasi ne punonim me karroca dore dhe makinat e transportit të barutit nuk gjendeshin atë ditë në fabrikë. Po dua të theksoj se nga puna e bëra gjatë ditës, pati shumë barut në fabrikë, si dhe mjaft municione të pademontuara”, - përfundoi dëshminë Mema.