E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH; 6 milionë dollarë humbje gjatë vitit 2009 në Durrës



Me gjithë investimet dhe përpjekjet e bëra, duket se OSSH nuk është gjendje të realizojë mbledhjen e parave nga faturat e energjisë elektrike në disa zona të qarkut Durrës. Niveli i pagesave në Divizionin e Shpërndarjes në Durrës është në shifra të ulëta.

Zonat rurale dhe ato informate, të cilat mbulohen nga ky divizion, vazhdojnë me pagesat e ulëta të faturave të energjisë elektrike. Shifrat e tyre janë tepër të ulëta, në një kohë që konsumatorët e qyteteve vazhdojnë të paguajnë rregullisht energjinë e harxhuar. Për të balancuar mungesën e pagesave të faturave të energjisë elektrike, si dhe humbjet në rrjet, është propozuar rritja e çmimit të energjisë elektrike deri në masën 20% për vitin 2010. Kjo rritje natyrisht që do të bjerë mbi shpatullat e banorëve të qyteteve, pasi pjesa tjetër nuk paguan prej vitesh faturat e energjisë së konsumuar prej tyre.

Divizioni i Shpërndarjes së Energjisë në Durrës përfshin rrethet e Durrësit, Krujës dhe të Kavajës si dhe zonat informale të ish-Kënetës, Shkozetit dhe të kodrave po të qytetit. Situata e likuidimeve të faturave të energjisë elektrike në këtë hapësirë paraqet një kontrast të madh midis qyteteve me fshatrat dhe zonat informale. Burime nga OSSH-ja thane dje për “standard” se “zona e ish-Kënetës, në të cilën banojnë 10 mijë familje e që furnizohen rregullisht me energji elektrike, shlyejnë mesatarisht deri 30% të faturave të energjisë për energjinë e konsumuar, kurse në total, zonat rurale të Durrësit likuidojnë vetëm 35% të energjisë së konsumuar, fshatrat e Krujës likuidojnë 20% të energjisë, ndërsa ato të Kavajës 35%”. Por një tjetër tablo shihet nëpër qytete. “Në Durrës shlyejnë rregullisht 90% të energjisë që konsumojnë, në Kavajë 85%, në Shijak 90%, në Krujë 75% dhe familjet e Fushë-Krujës 80%. Në total, qytete, fshatra dhe zona informale likuidojnë vetëm 65% të energjisë së faturuar. Gjatë vitit 2009, deficiti i krijuar në Divizionin e Shpërndarjes së Durrësit nga mungesa e pagimit të energjisë elektrike llogaritet 6 milionë dollarë, kurse humbjet që nga viti ’92 e në vazhdim arrijnë shifrën e 150 milionë dollarëve. Humbjeve nga mungesa e pagesës së faturave u shtohen edhe ato të shkaktuara nga rrjeti elektrik, të cilat në Durrës arrijnë nga 25% deri 30%. Para dy vjetëve, niveli i likuidimeve ka qenë në shifrat e 50 për qind”, - deklaruan në OSSH.

A. Ajazi

Objektet e vjetra ndotin mjedisin

Ish-veprat e ndërtuara me punë vullnetare nga popullata, pa asnjë qindarkë të paguar nga shteti i dikurshëm, janë kthyer në burim kryesor për ndotjen e mjedisit dhe rrezik për jetën e banorëve. Kjo po ndodh prej vitesh me dy objekte gjigande në zonën e Shkozetit, të cilat kanë mbetur pa asnjë destinacion, dhe nuk i janë nënshtruar procesit të privatizimit. Më konkretisht, janë godinat e ish- fabrikës së gomës, të cilat kanë zënë disa hektarë tokë në një vend mjaft të lakmuar nga biznesi si dhe për mjediset e ish-kombinatit kimik e për disa magazina të përmasave të mëdha. Ato objekte jo vetëm që janë shtrirë dhe kanë zënë dhjetëra hektarë tokë, por edhe janë shndërruar në një burim të rrezikshëm për jetën e njerëzve. Atje shpesh shkojnë fëmijë që luajnë nëpër rrënoja, gjen endacakë që kalojnë netët, por gjen edhe grumbullues skrapi, të cilët po i zhveshin këto objekte nga strukturat metalike, duke shtuar rrezikun e shembjes së tyre. Ato objekte janë kthyer edhe në një burim ndotës për mjedisin. Dega e Agjencisë së Privatizimit në Tiranë deklaron se “ndoshta brenda vitit 2010, ato objekte do ‘ti nënshtrohen privatizimit”.

Ish-veprat e dikurshme të ndërtuara qysh në vitet e socializmit dhe konkretisht, ish-fabrika e gomës, e cila e ka mbyllur aktivitetin që në vitin 1995, numërohen katër korpuse të mëdha, tashmë gërmadha, të cilat presin privatizimin. Ato ndodhen në Shkozet dhe janë mjaft të lakmuara nga biznesi. Nga pikëpamja estetike ato objekte stonojnë me pjesën tjetër të zonës, por janë edhe një burim i rrezikshëm për jetën e fëmijëve, të endacakëve, por edhe të grumbulluesve të skrapit. Por, terreni i tyre është ndotur ndjeshëm gjatë gjithë këtyre viteve, duke u transformuar në një hot-spot. Të njëjtin fat kanë pësuar edhe objektet, të cilat dikur ishin pjesë e kombinatit kimik. Edhe ato kanë pushtuar goxha sipërfaqe territori dhe po i nënshtrohen procesit të dekompozimit të përditshëm. Po në Shkozet gjenden edhe disa magazina të përmasave të mëdha, të cilat qëndrojnë të mbyllura prej vitesh pa asnjë lloj funksioni. Po qe se ato objekte do t’i nënshtroheshin procesit të privatizimit, shteti do të arkëtonte jo pak, por disa milionë dollarë. Është fjala për troje që shtrihen në dhjetëra hektarë tokë. Në këtë zonë të Durrësit, vlera e tokës është e lartë, pasi bëhet fjalë për një hapësirë të madhe, e cila po shndërrohet në një zonë urbane. Ndërtimi i pallateve apo i objekteve për qëllime biznesi, si markete të natyrave të ndryshme apo sallone, rrobaqepësi etj., është mjaft i lakmuar nga biznesi. Por deri tani, asnjë ofertë apo ankand nuk është bërë i njohur deri më sot nga ana e institucioneve përgjegjëse për tjetërsimin e këtyre objekteve. Shkozeti para viteve ’90, ka qenë zonë industriale, por pas vitit 1996, ajo u shndërrua në zonë urbane, pasi të ardhurit ndërtuan 4 mijë banesa informale. Flitet shumë se në Shkozet po zgjerohet Durrësi i ri.

A.Ajazi

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›