E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhakja: E vrava kryekomisar Tahirajn, kujtova se ishte kurth

TIRANE- Krejt qetësisht, Ilir Xhakja rrëfen para hetuesve arsyet përse e qëlloi Kryekomisarin Adem Tahiraj. Pak orë pasi u “kyç” në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, Xhakja, një personazh mjaft i njohur i policisë në vend, vendos të flasë dhe të japë versionin e tij lidhur me krimin e rëndë të pasdites së 13 shtatorit, ku viktimë mbeti shefi i Komisariatit të Shijakut, krim për të cilin rrezikon të mbyllet përjetë prapa hekurave. 

“E mendova si kurth. Kryekomisari dhe inspektori kishin pistoletat në duar. E qëllova nga frika se mos më qëllonte”, tha Xhakja. I dyshuari kryesor për vrasjen e kryepolicit u tha pjesëtarëve të grupit hetimor se ishte duke udhëtuar me makinën e tij, kur ka vërejtur që F. Hoxha, shoferi i shefit të Komisariatit të Shijakut, Tahiraj i ka bërë shenjë makinës së nipit të tij, Ledjan Krasnaj që të ndalohej. 

“Duke menduar se mos kishte ndonjë problem vendosa të afrohesha pranë tyre. Në atë moment, e kam pyetur Hoxhën se çfarë kishte ndodhur. Kemi nisur të debatojmë. Nuk vonoi dhe aty janë afruar shefi i komisariatit dhe një inspektor. Ishin të dy civilë. Në duar kishin pistoletat”, është shprehur Xhakja. 

38-vjeçari i akuzuar dhe më parë për vrasje, por që ka nisur t’ia hedhë drejtësisë, duke fituar pafajësinë, është shprehur se në një moment mendoi se ishte kurth ndaj tij. Edhe pse nuk e ka thënë hapur, ka lënë të nënkuptojë se me shoferin e Kryekomisarit ai ka përplasje, për shkak se ai është i afërt i një fisi kundërshtar i tij. “Kujtova se ishte kurth. Veprova nga frika se mos më qëllonin, e kam qëlluar me pistoletë Kryekomisarin dhe jam larguar. Nipi është larguar me makinën e tij, ndërsa unë me timen. Më pas vendosa të vetëdorëzohesha”, shpjegon Xhakja. 

Ndryshe nga sa pretendon policia, se Ilir Xhakja është lajmëruar nga nipi i tij për të ardhur tek fshati Katund Sukth, ku ishte ndaluar nga policia, i dyshuari për krimin e rëndë, shprehet se është ndodhur krejt rastësisht duke ecur pas makinës së nipit. Gjithashtu, për herë të parë, po hetohet edhe një nga dyshimet se “mollë e sherrit” në të gjithë ngjarjen që i mori jetën shefit të Komisariatit Shijak, është shoferi personal i tij, me të cilin Xhakja ka konflikte të vjetra për shkak të lidhjeve të gjakut që Hoxha ka me një fis me të cilin i ka patur gjithmonë marrëdhëniet e tensionuara.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›