E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhakja: Vrava kryekomisar Tahirajn se më shau nga familja, u vetëmbrojta

TIRANË- Ilir Xhakja, i njohur si i ‘forti’ i Shijakut ka dëshmuar për Rreth 1 orë e 20 minuta në Gjykatën e Krimeve të Rënda në lidhje me vrasjen e kryekomisar Adem Tahiraj.

I akuzuar për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut, më 13 shtator të vitit të kaluar, me një qëndrim që dukej tepër i bezdisur dhe një të folur shumë të shpejtë Xhakja ka rrëfyer para 5-shes gjykuese se e vrau Adem Tahiraj për vetëmbrojtje.

Xhakja ka lëshuar akuza të forta ndaj kryekomisarit , duke deklaruar në seancën gjyqësore se Tahiraj ishte i dehur dhe e ka ofenduar duke e sharë nga familja. Për këtë arsye Xhakja pretendon se e ka qëlluar për vdekje.

Dëshmia e Ilir Xhakjas është në kundërshtim të plotë me pretendimin e Prokurorisë, sipas së cilës është Xhakja që e ka ofenduar kryekomisar Adem Tahiraj për të qëlluar më pas për vdekje.

Procesi i Xhakja është drejt fundit, ndërkohë që në seancën e radhës pritet dëshmia efektivit Kastriot Gosturani.

Ilir Xhakja akuzohet se qëlloi për vdekje shefin e komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, i cili kishte urdhëruar të bllokohej makina e nipit, Ledio Krasnaj. Ish-kreu i komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, u ekzekutua më 13 shtator, në fshatin Katund Sukth, gjatë një kontrolli rutinë të automjetit të nipit të tij. Fillimisht, "i forti i Shijakut" është konfliktuar me Tahirajn dhe më pas e ka qëlluar me pesë plumba pistolete, duke e lënë të vdekur në vend. Arrestimi i Xhakjes u bë pak orë më vonë, në fshatin Shën Vlash.

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›