Xhamia, Totozani-ambientalistëve: Do të ngremë një grup ekspertësh
Tiranë- Ambjentalistët i kanë përcjellë Avokatit të Popullit, Igli Totozani shqetësimin e tyre për prerjen e pemëve tek zona që po ndërtohet Xhamia e Tiranës, si dhe për faktin pritet që tek Kopshti Zoologjik pritet të ndërtohet një ambasadë.
Gjatë një takimi që kanë mbajtur të dyja palët mesditën e sotme, Totozani ka siguruar grupin e ambjentalistëve se do të ngrihet një grup ekspertësh për të studiuar nëse në zonën pranë Xhamisë do të ngrihen edhe dy kulla, ashty siç përflitet.
“Parqet, lumenjtë janë ndrydhur nën kthetrat e ligjshme e herë të paligjshme. Ne jemi institucioni, që mbrojmë të drejtat e njeriut. Avokati i Popullit mbështet të drejtën për të pasur një xhami, ku besimtarët ritet e tyre ti kryejnë aty, por veprimet ose mosveprimet që kryehen nga administrata janë jo të drejta. Ne do ngrëmë një grup ekspertësh për të trajtuar këtë rast, pasi përveç xhamisë aty flitet se do të ngrihen edhe dy kulla”, ka premtuar Totozani.