200 fermere ne proteste per shfuqizimin e Ligjit 7501
Inventarizimi i pronave publike ka ngritur në protestë banorët e Komunës Dërmënas të rrethit Fier. Rreth 200 banorët e prekur nga ky inventarizim kanë protestuar mesditën e djeshme përpara Komunës Dërmënas, duke kërkuar rishikim të procedurave dhe kthimin e tokave që u janë marrë padrejtësisht nga komuna. Zanafilla e kësaj proteste zë fill në muajin dhjetor të vitit 2007, atëherë kur Komisioni i Ligjeve vendosi të miratojë amendamentin e republikanit Arian Madhi për të mos lejuar më ndarjen abuzive të tokave bujqësore, njëkohësisht dhe të kthejë mbrapsht, në prona publike ato sipërfaqe tokash që janë dhënë mbi normën e lejuar me ligj dhe në mënyrë abuzive. Ky ligj, i cili ka hyrë në fuqi më 31 dhjetor 2007, u administrua dhe u zbatua nga një komision i posaçëm në Këshillin e Qarkut Fier dhe më pas u dërgua drejt komunave. Këto të fundit, pas mbylljes së procedurave të dokumentacionit nisën muajt e fundit të vitit 2010 zbatimin real të inventarizimit të pronave, duke kthyer pronësinë edhe të një pjese të atyre tokave bujqësore të dhëna te fermerët në mënyrë abuzive, ose mbi normat e lejuara. Ky inventarizim i aplikuar së fundmi ka prekur jo pak, por rreth 200 fermerë të Komunës Dërmënas, të cilët kanë reaguar me anë të protestës.
Nga ana tjetër, fermerët protestues kanë deklaruar se pjesën më të madhe të tokave që ata disponojnë në bazë të Ligjit 7501, toka të marra gjatë vitit 2002, i kanë pronë të tyre dhe sipërfaqja, e cila pretendohet tashmë si pronë publike, prek pronën e tyre. Ata kërkojnë rivlerësim të pronave (tokave), pasi kjo, sipas tyre, është grabitje dhe jo ndëshkim i abuzivitetit. Banorët kanë kërcënuar me vijimësinë e protestave, në rast se nuk do të ketë një rishikim të pronësisë së tokave dhe dokumentacioneve përkatëse.
Shfuqizimi i Ligjit nr. 7501 aktualisht nuk ka për qëllim vetëm të mbrojë interesat e pronarëve të ligjshëm, por edhe të atyre që kanë zënë tokat e tyre. Alternativat janë të ndryshme, ose duke i kompensuar ata nga shteti me toka që kanë në dispozicion, ose duke i blerë tokat nga pronari, apo duke i dhuruar, ose në marrëveshje ndërmjet tyre lidhen kontrata në bazë të kodit civil e forma të tjera. Me një fjalë, zgjidhja që propozohet ka parasysh mbrojtjen ligjore të pronarëve të ligjshëm dhe të atyre që kanë marrë tokat e tyre sipas Ligjit nr. 7501/91.