Xhamia e re në Tiranë, Gjykata e Tiranës rrëzon kërkesën me motive politike të disa ojq-ve që i thurin hosanara Edvinit
Gjykata e Tiranës e rrëzoi kërkesë-padinë si të pabazuar në prova dhe në ligj, duke u shprehur se ky vendim nuk mund të apelohej. Forumi mysliman shqiptar si palë e interesuar në proces, përshëndeti vendimin duke u shprehur se Tirana ka nevojë për këtë objekt kulti
Gjykata e Tiranës rrëzoi dje kërkesë-padinë e “ambientalistëve”, disa ojq-ve që i thurin hosanara Edvinit, për ndalimin e ndërtimit të Xhamisë tek sheshi i Namazgjasë. Dje, në Gjykatën e Tiranës u zhvillua gjyqi për vendosjen e masës së sigurisë së padisë ndaj vendimit për ndërtimin tek Namazgjaja. Kjo në bazë të kërkesëpadisë të bërë nga Instituti i Çështjeve Kombëtare-INA. Nëpërmjet kësaj kërkesëpadie u kërkuar Shfuqizimi i Vendimit NR.2. datë 29.0.2013 për miratimin e dhënies së “Lejes zhvillimore e komplekse për Xhaminë e Namazgjasë”, në kundërshtim me procedurat e parashikuara në ligj. Instituti i Çështjeve Kombëtare-INA kërkoi nga gjykata masë të përkohshme për sigurimin e padisë, ku të urdhërojë ndërprerjen e menjëhershme të punimeve, ndalimin e prerjes së pemëve dhe zaptimin e trotuareve publikë nga subjektet e ndërtimit në kufijtë me këtë pronë deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, sepse vazhdimi i mëtejshëm i punimeve do ta bëjë të pamundur ekzekutimin e një vendimi gjyqësor të dhënë nga kjo gjykatë. Por gjykata e Tiranës e rrëzoi këtë kërkesë-padi si të pabazuar në prova dhe në ligj, duke u shprehur se ky vendim nuk mund të apelohej. Forumi mysliman shqiptar si palë e interesuar në proces, përshëndeti vendimin duke u shprehur se Tirana ka nevojë për këtë kult fetar. “Tirana ka nevojë për atë xhami. E ka pas me kohë dhe nuk kemi ndonjë objeksion të veçantë për kërkesat e ambientalistëve, ne nuk i hedhim poshtë këto lloj kërkesash, por ajo është pronë e KMSH-së dhe është marrë një vendim i drejtë për këtë çështje. Pak muaj më parë, Bashkia e Tiranës miratoi kërkesën e Komunitetit Mysliman për ndërtimin e xhamisë së madhe tek sheshi i Namazgjasë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha e cilësoi vendimin si vënie të drejtësisë pas vitesh të tëra neglizhimi. Ndërtimi i xhamisë së madhe sipas kryebashkiakut Basha plotëson mozaikun e tempujve të adhurimit të Zotit të ndërtuara gjatë viteve të demokracisë në kryeqendrën e shqiptarëve. “Si kryetar i Bashkisë së Tiranës ndihem po kështu mirë, sepse vendimmarrja për ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës kaloi nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, u dëgjuan jo vetëm zëri i Komunitetit Mysliman, ndër më kryesorët në këtë vendimmarrje, por edhe zëra të tjerë të qytetit dhe të shoqërisë.