E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhani: Ju ftoj të zhyteni në "pafundësinë" e këngës sime

Xhani Shqerra është një nga ata të rinj shqiptarë, i cili nuk njihet vetëm në Shqipëri, por me këngët e tij njihet në Itali dhe Francë. Kanë qenë pikërisht këngët e tij në gjuhën italiane, ato që e kanë bërë të njohur në fushën e muzikës.

Por, ai ka qenë i njohur edhe para këngëve, ka sfiluar në shumë pasarela dhe nëse e takon nuk e ke të vështirë ta dallosh këtë gjë, të duhet të ngresh kokën për të arritur ta shohësh në sy, aq i gjatë është.

Xhani vjen nga një kombinim i bukur i babait kosovar dhe i nënës shqiptare. Ka lindur në Elbasan dhe që në moshë shumë të vogël familja e tij ka emigruar në Milano, por Xhani na tregon që nuk e ka braktisur asnjëherë Shqipërinë, madje ka qenë pikërisht publiku shqiptar i kudondodhur, ai që i ka dhënë një shtysë më të madhe për të ardhur këtë herë me një këngë shqiptare.

Madje, është kjo arsyeja që Xhani ndodhet këto ditë në Tiranë, ai promovon klipin dhe këngën "Pa Fund", këngë e cila është krijuar në bashkëpunim me artistë shqiptarë dhe italianë. Është një këngë ndryshe...një këngë nga ato që kur e dëgjon "të le pa frymë" dhe që të kujton se shpirti i njeriut nuk duhet të bjerë në grackën e influencave, por duhet të gjallërojë në liri, në të vërtetën dhe dritën marrë nga përvojat e jetës, pa humbur pafajësinë dhe origjinalitetin personal njerëzor.

Xhani, për të gjithë ata që nuk e dinë, cila është arsyeja e ardhjes suaj në Shqipëri?

Ndodhem në Shqipëri këto ditë me rastin e promovimit të projektit tim të fundit muzikor, i cili vjen në gjuhën mëmë, në shqip dhe i ilustruar me një klip.

Për herë të parë përfaqësoheni me një këngë në gjuhën tuaj, na tregoni ndonjë detaj më tepër për këngën?

Kënga vjen si rezultat i një pune shumëvjçare... Shumë bashkatdhetar, pasi janë njohur me veprimtarinë time artistike si këngëtar, kanë shprehur interes për të më dëgjuar në gjuhën tonë... Për ta bërë këtë, dëshiroja të vija si një këngëtar më i pjekur, më me përvojë dhe mbi të gjitha me një këngë, e cila do të më përfaqësonte.

Kënga vjen si rezultat i një ndjenje personale nga e cila jam frymëzuar për të krijuar melodinë e saj... Kontakti me tekstshkruesin e mirënjohur shqiptar, Olti Curri, i dha veshjen e duhur këngës, duke përcjellë një mesazh të thellë shumë konson me atë çka ishte ndjenja ime!

A ka dhe italianë që kanë bashkëpunuar për këngën tuaj?

Përvç bashkautorit, Olti Curri, produksioni artistik është bërë në bashkëpunim me producentin e njohur Italian, Michele Fischietti (vocal coach, producent, orkestrues i shumë artistëve Italianë). Ndërsa produksioni video është italo-francez.

Pasi të bëni prezantimin e këngës suaj në Shqipëri, do ta bëni këngë dhe në gjuhën italiane?

Po, tashmë ekziston edhe version në italisht titulluar "LUCE", vazhdim i të njëjtit subjekt që jep idenë e pafundësisë, shkruar nga Giuseppe Cuce', një kantautor i njohur në Itali dhe së fundmi edhe në Francë.

Kënga juaj mban titullin "Pa fund", kush është pa fund?

Kënga është tepër ngacmuese dhe i drejtohet mbrojtjes së botës natyrore dhe të sinqertë të shpirtit të njeriut ndaj forcave diktuese dhe kontrolluese të shoqërisë.

Nëse historia njerëzore mund të kuptohet si një ndikim për të depërtuar tek vlerat e njeriut dhe krijimin e një uniformiteti, sipas kërkesave të caktuara nga shoqëria njerëzore, kënga "Pa fund" të kujton se shpirti i njeriut nuk duhet të bjerë në grackën e këtyre influencave, por duhet të gjallërojë në liri, në të vërtetën dhe dritën marrë nga përvojat e jetës, pa humbur pafajësinë dhe origjinalitetin personal njerëzor.

Ndërkohë, kënga ka një videoklip që është një lloj ndryshe, për sa u përket videoklipeve shqiptare, e kujt ishte ideja?

Ideja ka qenë e stafit të producentëve nisur nga dëshira ime për të qenë një produkt konson me atë çka kënga përcjell. Klipi nxjerr në dukje luftën midis botës personale të njeriut dhe botës të përcaktuar të shoqërisë.

Në të fillimisht ilustrohet individi i pushtuar dhe i lidhur nga rrjeti shoqëror, dhe më pas zhvillohen tre imazhe për të përballuar tendencat kufizuese të jetës. Në fund, tre imazhet përputhen në një pas një vallëzimi të dhimbshëm drejt lirisë shpirtërore.

Pse keni zgjedhur pikërisht Top Festin për të konkurruar me këngën tuaj?

Ky është një nga projektet që pasojnë pas prezantimit të këngës "Pa Fund". Mendoj se ky format i përshtatet mjaft mirë dëshirës për tu prezantuar denjësisht për herë të parë në një event shqiptar dhe profesionalitetit që një artist kërkon kur bashkëpunon.

Përvç këtyre karakteristikave, mendoj se Top Fest është një dritare mjaft e mirë, ku mund të hyj në majë të gishtave në shtëpitë e të gjithë shqiptarëve dhe të gjykohem për vlerat e vërteta që më karakterizojnë!

Deri tani si është pritur kënga?

"Pa fund" është pritur mjaft mirë dhe kjo me lumturon... Pavarësisht eksperiencave të mia në vende të ndryshme, në kultura dhe në gjuhë të ndryshme, rikthimi si i rritur, në gjuhën mëmë është i njëjtë me atë të një fëmije, i cili kthehet në familje pas një eksperience jashtë saj, dhe i duhet të dëshmojë atë çka ka marrë dhe sa vlen! Kjo ndjenjë më bën akoma më të përgjegjshëm mbi atë çka bëj në mënyrë që të mbërrij tek publiku im, në mënyrë sa më natyrale e të sinqertë!

Cili është çmimi që do donit të merrnit?

Atë çka pres është shkëmbimi i eksperiencave me artistët e tjerë pjesëmarrës, me stafin realizues, i cili me shumë përkushtim këtë vit do të na japë mundësinë të tregojmë vlerat tona dhe t'i ofrojmë publikut ndjenja, emocione dhe spektakël.

Çmimi më i madh për mua do të ishte realizimi i gjithë kësaj, duke u manifestuar me duartrokitjen e publikut ardhur si rezultat i një ndjenje të sinqertë!

I keni dëgjuar këngët e tjera konkurruese në Top Fest? A ka ndonjë këngë që të ka pëlqyer?

(S'ka filluar ende) Megjithatë, kam dëgjuar disa këngë të viteve të shkuara, të cilat kanë pasur vlera të vërteta artistike, i kanë dhënë mundësi artistëve të shumtë, të rinj, të nisin hapat e tyre të parë në këtë fushë, duke realizuar ëndrrën e tyre e të punojnë për të sjellë projekte të tjera, të cilat i kanë bërë që sot të jenë artistë të afirmuar e të respektuar nga publiku shqiptar!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›