Biznesmenët rrëfejnë ryshfetin e zyrtarëve
Tenderi i Uniformave me vlerë rreth 1.2 milionë euro merr tjetër rrjedhë, duke i dhënë detaje të reja prokurorisë për hetimin
"Fillimisht paguam gjysmën e 10 përqindeshit të tenderit. Pjesën tjetër do ta paguanim kur të kishim fituar tenderin"
TIRANË- Biznesmenët e arrestuar për tenderin e uniformave të administratës, një muaj e gjysmë pas arrestimit të tyre bashkë me disa zyrtarë të administratës, pranojnë bashkëpunimin me organin e prokurorisë.
Njësia e Task-Forcës së kryeqytetit, 45 ditë pas arrestimit të tre zyrtarëve shtetërore, të Ministrisë së Brendshme, Integrimit e Gardës së Republikës bashkë me 3 tregtarët "fitues" të tenderit prej 1.2 milionë eurosh për "blerjen e uniformave", kanë siguruar "rrëfimin" e dy prej tre biznesmenëve të akuzuar.
Ata kanë pranuar se kanë paguar ryshfet për paracaktimin e fituesit të këtij tenderi. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, që pohojnë se dy biznesmenët: Agur Sadiku, pronar i shoqërisë "Sadiku" dhe i arrestuari Artan Berberi, pronar i kompanisë "Malbertex" kanë pranuar të rrëfejnë procedurat e ndjekura që nga konkurrimi për fitimin e këtij tenderi e deri te pagesat nën dorë, për t'u shpallur fitues.
"Prokurori Julian Xhengo, gjatë hetimit ka arritur të sigurojë në prani të avokatëve mbrojtës, dëshmitë Artan Berberit dhe Agur Sadiku. Këta kanë pranuar se janë detyruar të paguajnë 10 % e vlerës së tenderit për t'i shpallur ata fitues të këtij tenderi.
Tenderi kishte për objekt "Blerje të uniformave veshmbathjeve dhe elementë të tjerë përbërës të tyre", me fond limit 175 milionë lekë të reja i ndarë në 14 pjesë apo siç quhet në gjuhën zyrtare, në 14 lote.
Ato bënin pjesë në tenderin me fond total mbi 175 milionë lekë, me të cilat do bliheshin uniforma të pjesshme për Policinë, repartet RENEA-s dhe të FNSH-ve, si dhe për Gardën e Republikës, Ministrinë e Mbrojtjes Doganat, Ministrinë e Shëndetësisë etj.
Në secilin nga këto lote të tenderimit ishte përcaktuar fondi limit dhe çfarë do të blihej me vendim të miratuar nga Këshilli i Ministrave"-thuhet nga burimet të prokurorisë.
Pas rrëfimit, ndaj dy biznesmenëve Berberi dhe Sadiku, që kanë pranuar të tregojnë se kanë paguar shuma të ndryshme parash me detyrim nga zyrtarët shtetërore për përfitimin e tenderit, prokuroria ka kërkuar nga gjykata lehtësim të masës së sigurisë, me "arrest shtëpie".
Berberi e Sadiku, kanë pranuar se nëpërmjet të akuzuarit Redi Popesku, specialist në Ministrinë e Integrimit, kanë paguar gjysmën e shumës së 10 % të vlerës totale të tenderit, për tu shpallur fitues.
Gjysmën tjetër, sipas dëshmisë së tyre, do ta paguanin pas shpalljes fitues të këtij tenderi me vlerë 1.2 milionë euro. "Paratë e paguara Redi Popesku i ka marrë për t'ia dhënë të arrestuarit Bujar Murati, ish- drejtor i Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, si dhe Tahir Imamit, ish- shef i prokurimeve në Gardën e Republikës.
Këta duhej të ndikonin në shpalljen fitues të tenderit"-thuhet nga akuza, duke iu referuar dëshmive të dy biznesmenëve. Mësohet se biznesmeni i tretë që tashmë hetohet në gjendje të lirë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Jani Gjergjefi, pronar i subjektit "Gjergjefi" nuk ka pranuar të flasë, duke mohuar në mënyrë kategorike se ka paguar për këtë tender.
Po këtë qëndrim kanë mbajtur edhe tre zyrtarët shtetërorë duke pranuar se kishin ndërhyrje për përcaktimin e fituesit të këtij tenderi por jo ndërhyrje duke paguar apo ofruar lekë. Sipas prokurorisë, hetimi në ngarkim të................................. gjashtë Bujar Muratit, Tahir Imamit, Redi Popeskut, Agur Sadikut, Artan Berberit dhe Jani Gjergjefit, pritet të përfundojë dhe shpejt dosja do dërgohet për gjykim.
LOTET E TENDERIT
Loti 1: Blerje Këmisha për Ministrinë e Mbrojtjes, Gardën e Republikës, Drejtorinë e Burgjeve dhe Doganave,
fondi limit: 13 756 811 lekë
Loti 2:Blerje "Grada e Simbole për Ministrinë e Mbrojtjes, Gardën e Republikës, Drejtorinë e Burgjeve dhe Doganave,
fondi limit: 6 887 126 lekë.
Loti 3: Blerje Kostume për Ministrinë e Mbrojtjes, Gardën e Republikës, Drejtorinë e Burgjeve, Drejtorinë e Doganave,
Fondi limit: 79 816 732.33 lekë.
Loti 4: Blerje Bluza,Pulovra, Triko për Ministrinë e Mbrojtjes, Gardën e Republikës, Drejtorinë e Burgjeve, dhe Drejtorinë e Doganave,
Fondi limit: 10 826 017 lekë
Loti 5: Blerje Xhupa, Xhakovenda, Pardesy për Ministrinë e Mbrojtjes, Gardën e Republikës, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave,
fondi limit: 13 500 104 lekë.
Loti 6 : Blerje Rripa për Gardën e Republikës, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave,
fondi limit: 1 687 917 lekë.
Loti 7: Blerje Doreza, Kravata, Shalle për Ministrinë e Mbrojtjes, Gardën e Republikës, Burgjeve, dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave me fond limit
3 687 285 lekë.
Loti 8: Blerje Peshqirë, Çarçafë,Batanije për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Gardën e Republikës, me fond limit 13 756 811 lekë
Loti 9: Blerje uniforma pune për Drejtorinë Riparim, Furnizim Tiranë dhe Gardën e Republikës me fond limit 903 333 lekë.
Loti 10: Blerje uniforma për Ministrinë e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile me fond limit
3 000 000 lekë.
Loti 11: Blerje uniforma, për Kapitenerinë e Përgjithshme të Porteve me fond limit
2 500 000 lekë.
Loti 12: Blerje veshmbathje për Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë me fond limit
1 000 000 lekë
Loti 13: Blerje Uniforma Sportive për Shkollën Kombëtare të Futbollit "Loro Boriçi", Shkollën Kombëtare të Futbollit, Repartin 712 FNSH Tiranë dhe Repartin RENEA me
fond limit 4 816 667 lekë
Loti 14: Blerje veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës, Ministria e Shëndetësisë,
fondi limit: 28 625 536 lekë.
Apeli lë në fuqi vendimin për ish- shefin e rrugores
TIRANË- Gjykata e Apelit në vend la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që e deklaroi fajtor ish-shefin e komisariatit të Policisë Rrugore, Krenar Ahmetin për "veprime arbitrare" gjatë punës së tij duke e dënuar me 200 mijë lekë të reja gjobë.
Po kjo gjykata vendosi të lërë në fuqi edhe vendimin ndaj dy ish-vartësve të Ahmetit të pandehurve Alfons Gjoni e Blenard Vathi të cilët u dënuan me nga 100 mijë lekë gjobë.
Sipas vendimit, këtë vepër penale ish-kreu i rrugores Ahmeti dhe dy vartësit e tij Vathi dhe Gjoni e kanë kryer gjatë ushtrimit të detyrës në kundërshtim me ligjin, duke ndaluar dhe shoqëruar në Komisariat prokuroren e Krimeve të Rënda, Elisabeta Imeraj dhe bashkëshortin e saj avokatin Agron Bajrin, mbrëmjen e datës 17 majit të 2008.
"Ky dënim me gjobë, duhet të shlyhet brenda afatit 30 ditor në të kundërtën ndaj të tre të pandehurve kjo gjobë konvertohet në ditë burgu"-tha në vendimin e tyre treshja gjykuese e gjykuar nga gjyqtari Fatos Qato që nuk pranoi median në sallën e gjyqit.
Ndërkaq, në seancën e kaluar gjyqësore prokurori i çështjes Nezir Gjoka kërkoi nga Gjykata e Apelit deklarimin fajtor të tre të pandehurve për "kryerjen e veprimeve arbitrare" dhe dënimin e tyre me nga 500 mijë lekë të reja gjobë.
Në konkluzionet e tij prokurori renditi se i pandehuri Ahmeti është person recidiv, pasi pas kësaj ngjarjeje ndaj tij dhe efektivëve në varësi të tij është dorëzuar një kallëzim penal në prokurori po për veprime arbitrare për të cilët po hetohet.
Gjithashtu në fjalën e tij prokurori Gjoka i kujtoi togave të zeza se i pandehuri Ahmeti u transferua nga detyra, pas një incidenti me eskortën e kryeministrit të vendit. Ndërsa, avokati mbrojtës i tre të pandehurve dhe vetë të pandehurit që ishin të pranishëm gjatë fjalës së tyre kërkuan nga gjykata pafajësi.