E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaxhai i 2 vëllezërve Shkreta: S’e ngre dot kapakun e arkivolit

MAMURRAS- Fshati Shpërdhet që dikur njihej shumë pak nga të gjithë, sot është bërë i njohur në sajë të historisë së bujshme mes dy familjeve Llanaj dhe Shkreta, të cilët dikur kishin hyrje-dalje familjare, ndërsa sot janë shndërruar në armiq të njëri-tjetrit. Rruga për në këtë fshat, në afërsi të Mamurrasit zgjat pak më shumë se një orë, ndërkohë që të gjithë rrugës e dinë historinë dhe kjo e bën më të lehtë edhe mbërritjen në destinacionin e duhur. 

Familja Shkreta ndodhet në hyrje të fshatit Shpërdhet, ndërkohë që nga larg dallohen siluetat e grave dhe vajzave veshur në të zeza që hyjnë në banesën ku gjendet i pajetë trupi i 31-vjeçarit Gentian Shkreta. Në hyrje të banesës qëndrojnë të afërmit e tij, të cilët nuk pranojnë të tregojnë se si ka ndodhur ngjarja. “Genti nuk ngjallet më” janë fjalët që na thotë që në hyrje, djali i xhaxhait të Gentian Shkretës, që humbi jetën dy ditë më parë, në atentatin e organizuar ndaj tij dhe vëllait të tij. Që në hyrje të rrugës që të çon në banesën e Gentianit mbizotëron zia dhe dhimbja. Këto janë të vetmet fjalë që marrim pranë familjes së Gentian Shkretës, ndërkohë që askush nuk flet më tepër, sepse aty heshtja flet më shumë se fjalët.

I vetmi që pranon të zgjatet disi është xhaxhai i viktimës, Dedë Shkreta. Me sytë e kuq nga të qarët dhe me buzët që i pikojnë gjak nga dhimbja, Deda rrëfen për GSH dhimbjen e thellë që i ka përshkuar trupin. Dhimbja bëhet edhe më e thellë, ndërkohë që Deda rrëfen: “E kanë masakruar nipin tim, unë nuk i ngre dot kapakun për t’i parë fytyrën”... Pas këtyre fjalëve trupi i tij dridhet dhe ne largohemi, sepse atje ku heshtja dhe dhimbja flasin vetë, fjalët janë të kota. 
Si ka ndodhur ngjarja?
 Unë nuk e di si ka ndodhur ngjarja. Vetëm se di të them që ky është një krim i rëndë. Kur ndodhi vrasja e parë policia erdhi dhe na tha që të ruhemi. Pse duhet të ruhem unë, kur mua m’u vra vëllai, m’u vra nipi, shtëpia m’u hodh në erë. Pse duhet të ruhem unë dhe jo ai që më ka vrarë gjithë këto njerëz?
Ju ka treguar ndokush se si ka ndodhur prita? 
Ajo që di unë është se nipin tim, Gentianin, e kanë qëlluar me 3 plumba. Më pas e kanë hedhur në kanal, në ujërat e lumit Droj dhe më pas e kanë qëlluar sërish pesë herë pas koke dhe e kanë tërhequr zvarrë. Nipi im është dëmtuar aq shumë, sepse ata e kanë masakruar aq shumë saqë unë nuk ngre dot kapakun e arkivolit për t’i parë fytyrën.
Juve do ia lini në dorë shtetit, apo do hakmerreni?
Shteti duhet që të nxjerrë djalin tim nga burgu, Ermalin, që nuk ka fare lidhje me vrasjen e djalit 9-vjeçar. Djalin tim prej 5 muajsh e mbajnë në burg për moskallëzim të krimit, ndërsa Jetmir Llanaj që ka bërë gjithë këto vrasje lihet i lirë. 
Ku ishin nipërit e tu kur ndodhi ngjarja? 
Ktheheshin nga një dasmë kur u kanë zënë pritën. Martonin të motrën në Mal të Zi.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›