E Diel, 1 Nëntor 2026

I plagosuri: Jetmir Llanaj na tha në pritë, "m’i bëni të fala djalit"

TIRANE - Kanë qenë shokë të ngushtë që nga fëmijëria, ndërkohë që janë bërë armiq të përbetuar të njëri-tjetrit. Bëhet fjalë për vëllezërit Jetmir e Muharrem Llanaj, të cilët për një kohë të shkurtër janë kthyer në armiq të djemve të familjes Shkreta, duke shënuar brenda 5 muajve, 3 të vrarë e 2 të plagosur. Vetëm dy ditë më parë humbi jetën Gentian Shkreta, ndërsa mbeti i plagosur vëllai i tij, Emanuel Shkreta. Ky i fundit qëndron i shtrirë në shtratin e Spitalit Ushtarak, nën forca të rrepta sigurie. Emanuel Shkreta, i cili para dy ditësh i shpëtoi pritës së organizuar kundër vëllait dhe atij vetë, tashmë është jashtë rrezikut për jetën, ndonëse ka marrë plumba në shpatull dhe në këmbë. Djali i familjes Shkreta akuzon si përgjegjësit e atentatit të organizuar ndaj tij dhe vëllait të tij, Jetmir dhe Muharrem Llanajn, përkatësisht babain dhe xhaxhain e djalit 9-vjeçar, i cili humbi jetën mesditën e datës 5 qershor. Pas kësaj dite, në familjet Llanaj dhe Shkreta nuk ka pasur më jetë dhe çdo gjë përreth këtyre dy familjeve është shndërruar në tmerr. Të tmerruar janë edhe sytë e Emanuel Shkretës, i cili rrëfen për “GSH” momentet kur atij dhe vëllait të tij u është zënë pritë. “Para nesh janë shfaqur Jetmir dhe Muharrem Llana, të cilët na kanë gjuajtur me breshëri”, - ka pohuar Emanuel Shkreta. Me duart që i dridhen dhe me sytë të mbushur me lot, Emanueli kërkon vetëm që kjo histori të marrë fund dhe që shteti të vërë dorë në këtë çështje.

“Jam me mendje të freskët. E kujtoj shumë mirë momentin kur na është zënë prita. Kemi zbritur nga furgoni me gjithë vëllain, në autostradën Mamurras – Fushë-Krujë, në drejtim të lumit Droj. Ktheheshim nga dasma. Kemi përshkuar rrugën përbri lumit, kemi kaluar tek shinat e trenit në një distancë prej 1000 m larg shinave të bregut të lumit. Papritmas na ka dalë para në një distancë 10 m, Jemir Llanaj me të vëllanë, Muharrem Llanajn. Ishin të dy pa maska dhe të armatosur dhe Jetmir Llanaj na ka thirrur: “M’i bëni të fala djalit!”. Aty ka gjuajtur me breshëri drejt meje dhe vëllait tim, ku unë jam plagosur në shpatull dhe këmbë. Jam rrëzuar poshtë dhe jam ngritur, ku edhe më pas më kanë gjuajtur me breshëri në një distancë ndoshta prej 5 metrash. Na kanë qëlluar të dyve me vëllain dhe kur kam qenë shtrirë përtokë i kam thënë vëllait: “Genti, ik” dhe jam kthyer mbrapsht, duke më gjuajtur gjithmonë pas shpine.”- tregon Shkreta.

(lexoni intervisten e plote, sot ne Gazeta Shqiptare)
(er.nuGSH//BalkanWeb) Lidhje te tjera Xhaxhai i 2 vëllezërve Shkreta: S’e ngre dot kapakun e arkivolit

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›